Lideri opozitar i Aleancës për Serbinë, Dragan Gjilas me mbështetësit e tij, është pritur shumë keq sot në Leposaviq.

Ai, në një vizitë të paparalajmëruar, është fishkëllyer dhe fyer nga serbët e pranishëm, e që thuhet se janë organizuar nga Lista Serbe pikërisht për një gjë të tillë.

Serbët e grumbulluar e kanë kritikuar atë për mënyrën se si ka ardhur në Leposaviq, transmeton Ballkani.info.

“Në ditën kur shqiptarët në fshatin Prekaz e glorifikojnë veprën e kriminelit Adem Jashari, ky maneken i pasur nga Beogradi i cili luan rolin e politikanit, vjen këtu dhe shetitet me veturë të shtrenjtë. Ka ardhur t’i shqetësojë serbët, që t’i bind që t’ia kthejnë shpinën Serbisë së tyre, por nuk ia arriti. Prandaj e mori atë që e meritoi, u fishkëllye dhe u poshtërua”, kanë thënë serbët e mbledhur.

Në video e publikuara shihet se si fyehet Gjilas, i cili në Serbi shihet si politikan i moderuar dhe është kundërshtari kryesor i Vuçiqit.

“Si nuk ke turp që të vish? Ik, shko në shtëpi”, dëgjohen fyerjet e serbëve ndaj Gjilasit. Tutje ata i thonë se ai po vozitet me xhip 50 mijë euro të shtrenjtë.

Për këtë vizitë ka reaguar edhe Lista Serbe. Nga kjo parti e cila është formuar me direktiva të Vuçiqit, kanë thënë se Gjilas ka ardhur në Leposaviq që ta ndajë popullin serb.

Në anën tjetër, Aleanca për Serbinë e Gjilasit ka thënë se sulmi ndaj tij ishte i organizuar nga Vuçiqi dhe Lista Serbe. /Ballkani.info/