Serbët janë rusë të vegjël dhe Rusia do të kishte ndikim në Kosovë përmes Asociacionit: Çfarë u tha në takimin me ambasadorin amerikan

Komuniteti serb kishte një qëndrim pothuajse të unifikuar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur, i tha Kossev në emër të Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, i cili mori pjesë në takimin e sotëm në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Arsenijeviq thotë se biseda ka qenë produktive dhe vlerëson se diskutime të tilla janë të nevojshme për shoqërinë kosovare dhe se ato duhet të jenë më të shpeshta.

Ndërsa Iniciativa Qytetare e kryesuar nga Arsenijeviq, siç tha ai, ka shprehur qëndrim të prerë se “pa ASK-në nuk ka përparim”.

“Është folur për faktin se populli serb në Kosovë nuk ka kohë të vonojë formimin e Asociacionit dhe se duhet bërë sa më parë, sepse si pilula e hidhur që pimë në vitin 2013, pas barrikadave tw vitit 2011 dhe 2012, ku ra edhe një regjim, ai i Boris Tadiqit, u arrit Marrëveshja e Brukselit dhe pilulën e hidhur që pimë me Asociacionin, i cili ende nuk është formuar”, tha ai.

Për sa i përket, siç e quan Arsenijeviq, “palës tjetër”, pra përfaqësuesve të partive politike shqiptare dhe të Qeverisë së Kosovës, disa përfaqësues të opozitës “kishin mirëkuptim”, ndërsa, sipas tij, disa përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës “ia huqen temës” duke i quajtur serbët si rusë të vegjël dhe se Rusia do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë përmes Asociacionit.

Të kujtojmë se sot është mbajtur diskutimi për formimin e Asociacionit, ku nikoqir ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Takimi u organizua për përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, partive politike, trupit diplomatik dhe organizatave të shoqërisë civile.

Sipas disa mediave në Prishtinë, morën pjesë edhe përfaqësues të Listës Serbe, e cila në fillim të nëntorit lanw të gjitha pozitat në nivelin qendror dhe atë lokal në veri. Lista Serbe, megjithatë, nuk e konfirmoi këtë.

U raportua se takimi është mbajtur sipas rregullave të Chatham House, që do të thotë se nuk synohet që opinionet e pjesëmarrësve të raportohen në publik.

Qeveria e Kosovës u përfaqësua nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

Pas takimit, para mediave u drejtua nikoqiri i takimit të sotëm, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, i cili theksoi se diskutimi i sotëm pasqyron rëndësinë që SHBA-ja i kushton formimit të Asociacionit. /Ballkani.info/