Lëvizjet e qytetarëve në Shtërpcë, të premten, nuk i panë zyrtarët serbë në Beograd.

Kamerat që i vëzhgonin këta, e që ishin vendosur nga strukturat paralele serbe, i konfiskoi Policia e Kosovës, të enjten, bashkë me shumë dokumente të tjera të këtyre strukturave.

Kjo mbase ndikoi që zyra e komunës paralele të jetë e mbyllur, ta paktën kur e vizitoi Klan Kosova. Ani se shenjat tregonin që shiritat që i vendosi policia ishin larguar.

Kjo çka ndodhi në Shtërpcë nuk iu pëlqeu aspak serbëve. Bile, thonë se aksioni i policisë ishte krejtësisht i panevojshëm.

Këta veprimin e policisë të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Ferizaj e quajnë ilegal.

Veç kamerave, këta po i kajnë edhe krejt dokumentet që i morën institucionet e Kosovës.

“Të gjitha dokumentet për studentët dhe fëmijët nxirreshin këtu, pa pasë nevojë për të shkuar në Mitrovicë. Por, tash ku t’i nxjerrim? Ku të merren certifikatat e kurorëzimit? Si do të mund të kurorëzohen qytetarët?”, u shpreh njëri nga ta.

Serbët e atjeshëm pajtohen me zyrtarët e Beogradit të cilët deklaruan se operacioni i policisë u bë për t’i sulmuar këta.

Policia zhvilloi këtë aksion pas dyshimeve nga prokuroria se personat e arrestuar për rastin “Brezovica” muaj më parë, përkatësisht ish-kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq që është edhe koordinator i strukturave paralele që veprojnë në Shtërpcë, monitoroi kamerat e vendosura në vende publike dhe të dhënat i dërgonte në Serbi.

https://m.youtube.com/watch?time_continue=44&v=5mmXN0NpqNc&feature=emb_title