Serbët e pranojnë tashmë hapur, kemi luftuar më të gjithë në rajon, vetëm me Rumaninë jo

Nikola Selakoviq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, është lavdëruar dje në një emision televiziv, duke thënë se Serbia është shteti i parë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë për nga thithja e investimeve të huaja direkte për kokë banori.

Me të në emision ka qenë edhe Milomir Mariq, kryeredaktor i televizionit serb, TV Happy. Mariq njihet për gjuhën e tij anti Kosovë dhe për mbrojtjen pa rezervë të pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

Në emisionin e mëngjesit, Mariq derisa ia miratonte çdo fjali Selakoviqit, për një moment e thotë një të vërtetë të fshehur në Beograd që Serbia ka luftuar më të gjithë në rajon, përveç Rumanisë.

“Kam qenë para disa ditësh në Rumaninë miqësore, kishim takime jashtëzakonisht të rëndësishme në Bukuresht, biseduam për bashkëpunimin tonë bilateral. Rumania është fqinji ynë i vjetër dhe i mirë, me ta na lidhin marrëdhënie të mira miqësore…”, ishte duke thënë Selakoviq kur ndërhyn Mariq dhe thotë: “Dhe i vetmi vend në rajon që nuk kemi pasur asnjë luftë”. (Nga minuta e 9-të).

Kjo që e ka thënë Mariq tregon qartë që Serbia është shteti i cili për kohë të gjatë ka nxitur armiqësi dhe luftëra me të gjithë në rajon, duke vazhduar edhe sot, përfshirë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe në fund kryerjen e gjenocidit në Kosovë.

Se sa luftënxitëse është Serbia e tregon edhe paraqitja e djeshme e Milan Radojiçiqit, kriminelit që mbrohet nga Vuçiqi, i cili kërcënonte hapur serbët e Kosovës që mos t’i pranojnë targat e Republikës së Kosovës dhe provokonte shtetin e Kosovës duke thënë se ai është brenda Kosovës dhe më nuk e ka ndërmend të largohet.

Policia e Kosovës duhet ta arrestojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, nëse ai gjendet në territorin e Kosovës. Kështu ka thënë sot prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, teksa konfirmon se urdhërarresti ndaj Radojiçiqit lidhur me rastin “Brezovica” është ende në fuqi.

Radojiçiq i është drejtuar publikut përmes një video-mesazhi nga rrethina e Leposaviqit që është një nga katër komunat në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Në këtë video, ai tha se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”.

“Popullit tim në veri dhe të gjithë serbëve dua vetëm t’iu them, por edhe atyre të tjerëve, këtu jam, jam kthyer, dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo. Sepse nga këtu nuk ka kthim, rroftë Serbia”, shtoi Radojiçiq.

Por, Maloku shpreh dyshime për kohën kur është realizuar kjo video.

“Autoritetet duhet ta arrestojnë atë. Ai normalisht ka mund të vijë ta bëjë një postim dhe të dalë [nga territori i Kosovës] ose të ketë një incizim të mëhershëm dhe ta lëshojë dhe të krijojë ndonjë ndjenjë te serbët për qëllime politike. Unë as që e besoj që ka qenë [në Kosovë], por megjithatë ajo i takon rrugëve të Qeverisë që të verifikojë ato të dhëna”, thotë Maloku.