Serbët e Kosovës “zbulojnë” planin e Vuçiqit: Beogradi do ta përdorë Listën Serbe si “benzinë” për zjarrin e konflikteve

Lideri i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Arsenijeviq, në një deklaratë për median serbe Danas, ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se Qeveria e Kosovës po përgatit një “stuhi” të re, dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës.

Arsenijeviq pretendon se ekziston një plan për të provokuar konflikte në pjesën veriore të Kosovës, në mënyrë që presidenti Vuçiq të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të këtyre konflikteve dhe situatës së krijuar.

Ai ka shpjeguar se hapi i radhës që do të merret do të jetë vendimi për njohjen e Kosovës.

Aleksandër Arsenijeviq është kundërshtar i Listës Serbe, partisë së serbëve në Kosovë, pasi i akuzon se nuk punojnë për të mirën e qytetarëve, por për përfitimet e tyre.

I riu serb është shfaqur zëshëm, sidomos kohëve të fundit pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, për të cilën thotë se u intereson vetëm biznesmenëve të Listës Serbe dhe vetëm ata do të përfitojnë, derisa qytetarët do të dëmtohen nga faturat e shtrenjta të energjisë.