Serbët e dyshuar për krime lufte pritet të hetohen e gjykohen në mungesë

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit me 7 vota për dhe 2 abstenime ka miratuar projektligjin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për plotësim- ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Deputetët që abstenuan ishin Shkumbin Demaliaj nga AAK dhe Igor Simic nga Lista Serbe, transmeton ballkani.info.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se ky ndryshim mundëson akuzimin dhe gjykimin në mungesë të serbëve të dyshuar për krime luftë në Kosovë. Edhe pse tha se ky ndryshim është i vonuar, ajo e ka konsideruar shumë të domosdoshëm, ashtu siç e kanë vendet e BE-së.

“Ky projektligj ka për qëllim lejimin hetimin dhe gjykimin e të akuzuarve në mungesë. Është e rëndësishme që aplikohet vetëm pasi që shtirren të gjitha mundësitë që i parasheh Kodi i Procedurës Penale. Shumë më shumë janë dënuar shqiptar sesa serbë për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Shume shtete të be e kane këtë ligj ne fuqi, edhe në Ballkan. Jemi vonuar shumë në këtë drejtim”.

Haxhiu deklaroi se institucionet  e drejtësisë edhe pse kanë fakte nuk mund të veprojnë sepse Serbia nuk i dorëzon kriminelët.

Ajo theksoi se pas miratimit të këtij projektligjin duhet të këtë një projektligj tjetër që dokumenton të gjitha krimet e luftës. Ajo ka shtuar se është brengosës fakti që në Prokurorinë Speciale vetëm një prokuror merret me krimet e luftës.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, tha se Projektligji është i vonuar, por duhet të procedohet sepse nuk bie ndesh me agjendën e Qeverisë.

“Krimet e luftës ndaj popullsisë cilivile kanë kërkuar trajtim më urgjent sepse dëshmitarët vdesin. Kjo aspak nuk bie ndeshe agjendën e qeverisë. Asgjë s’ka të keqe që të procedojmë me këtë çështje”.

“Nëse për UÇK-ja është bërë Gjykatë Speciale, atëherë të trajtohen krimet serbe në Kosovë, të krijojmë mekanizëm që të marrin dënimin e merituar” tha ai.