Serbët dhe shqiptarët në Kamenicë mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit

Në qytetin e vogël të Kamenicës, serbët dhe shqiptarët e Kosovës po mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit në një përpjekje për të lënë pas krahëve armiqësitë e së kaluarës dhe të rrisin mundësitë e tyre për të gjetur një punë.

Bojan Stamenkoviq shqipton me kujdes një e nga një shkronjat që përbëjnë fjalën “mollë” në shqip. Ai flet rrjedhshëm dhe saktë dhe është e vështirë të dallosh se ai nuk po flet gjuhën e tij amtare.

Në një të mërkurë pasdite të ftohtë janari, Stamenkoviq mbante orën e tij të parë si mësues i gjuhë shqipe. Në klasë janë 37 nxënës, të moshave dhe etnive të ndryshme, megjithëse shumica e tyre janë serbë.

Mësimdhënia nuk është puna e vetme që Stamenkoviq bën në qytetin e vogël lindor e të përzierë etnikisht të Kamenicës në Kosovë. Ai është gjithashtu edhe nënkryetari i komunës.

“Deri në momentin që filluam, s’e kisha vënë re interesin e madh midis serbëve këtu për të mësuar shqip. Në fillim, kishim regjistruar 20 pjesëmarrës. Sot kemi më shumë dhe edhe ka të tjerë që dëshirojnë të vijnë,” tha ai për BIRN.

Kamenica, Mamusha, Dragashi, Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut janë pesë komuna të Kosovës që kanë përfituar nga një projekt i Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, i cili mbështetet nga ambasada britanike në Kosovë, për të ofruar kurse falas në gjuhën shqipe dhe serbe.

Kurset në Kamenicë mbahen çdo ditë, me dy turne, në sallën e asamblesë komunale, dhe organizatorët kanë përpiluar tekste shkollore që ofrojnë njohuri themelore të gjuhës shqipe dhe serbe.

Stamenkoviq, 35 vjeç, i lindur në qytetin e Gjilanit, 45 kilometra në lindje të Prishtinës, mendon se armiqësitë etnike në këtë pjesë të vendit po veniten, pas dy dekadash marrëdhëniesh të ngrira mes dy komuniteteve kryesore lokale.

“Njerëzit duhet të komunikojnë dhe ata po kuptojnë se të mësuarit e gjuhës së tjetrit i ndihmon të dyja palët. Larg nga ky kurs, serbët do të kenë shqiptarë përreth tyre dhe kjo do ta bëjë më të lehtë që ata të mësojnë më shumë,” shpjegoi ai.

Shqipja dhe serbishtja janë dy gjuhët zyrtare të Kosovës, sipas ligjit. Gjuhë të tjera si turqishtja dhe ajo rome janë në përdorim zyrtar në komunat ku njerëzit që i flasin ato përbëjnë të paktën pesë për qind të popullsisë lokale.

Stamenkoviq tha se nuk është i kënaqur me zbatimin si duhet të ligjit apo me cilësinë e përkthimeve në gjuhën serbe të ofruara nga institucionet dhe sugjeroi se në Universitetin e Prishtinës duhet të hapet një departament i gjuhës serbe.

“Në Beograd ka ekzistuar prej kohësh një departament i gjuhës shqipe. Sigurisht që e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Universitetin e Prishtinës, sepse kjo do të ndihmonte në formimin e përkthyesve profesionistë,” tha ai.

Stamenkoviq është diplomuar për ekonomi dhe ka punuar për 14 vjet si doganier në Kosovë para se të ftohej nga kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, që të bëhej zëvendësi i tij kur ky i fundit fitoi zgjedhjet në vitin 2017.

Të dy drejtuesit e rinj të komunës nuk u vonuan të shprehnin qëllimet e tyre të bashkëjetesës.

Në prill 2018, Kastrati dhe Stamenknoviq i drejtuan një letër të përbashkët ambasadave të huaja dhe zyrës së BE-së në Kosovë, duke kërkuar fonde për ndërtimin e një shkolle të përbashkët për fëmijët shqiptarë dhe serbë.

“Për të ndërtuar marrëdhënie të mirëfillta ndëretnike, është shumë e rëndësishme të fokusohemi te rinia jonë. Është e domosdoshme që të rinjtë e të gjitha komuniteteve, pa përjashtim, ta kalojnë jetët e tyre të përditshme së bashku në një mjedis të përbashkët të mësuari dhe rekreacioni,” shkruan Kastrati dhe Stamenkoviq.

Teksa qëndron ulur në klasën e improvizuar në sallën e asamblesë komunale, Stamenkoviq tha se mendon se njerëzit që mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre do t’i ndihmonin ata të afroheshin me njëri-tjetrin.

“Koncepti i bashkëjetesës dhe komunikimit ndëretnik këtu është më i mirë dhe më i prekshëm sesa në komunat e tjera në Kosovë,” shprehet ai.

Stamenkoviq tha se ai mendon se reduktimi i hendekut në marrëdhëniet ndëretnike midis serbëve dhe shqiptarëve është e mundur, nëse njerëzit mund të komunikojnë më lehtë. “Gjëja kryesore është komunikimi pa ndonjë paragjykim. Është koha tani të fillojmë të komunikojmë më lirshëm, më hapur,” shtoi ai.

Sisteme arsimore të ndara

Sistemi arsimor i Kosovës u nda përgjatë vijave etnike rreth tre dekada më parë, ndërsa tensionet u rritën në atë që në atë kohë ishte një krahinë e Jugosllavisë. Shqiptarët e Kosovës organizuan një sistem arsimor paralel ndërsa nxënësit serbë ndoqën kurrikulat mësimore shtetërore të Serbisë. Që të dy hoqën gjuhën e njëri-tjetrit nga programet e tyre arsimore.

Megjithatë Stamenkoviq u shpreh se serbët dhe shqiptarët kanë bashkëjetuar në Kosovë për një kohë të gjatë.

“Ne kemi jetuar gjithmonë bashkë dhe do të vazhdojmë të jetojmë së bashku,” tha ai.

Por ai mendon se ende është “shumë herët” të flitet për ndonjë lloj pajtimi midis shqiptarëve dhe serbëve.

“Mbijetesa e njerëzve vjen e para, pastaj gjyqet e krimeve të luftës dhe pastaj gjëra të tjera,” tha ai, duke u shprehur se njerëzit e zakonshëm janë më të përqendruar në shkallën e lartë të papunësisë dhe mungesën e perspektivës ekonomike në Kosovë sesa në çështjet politike.

Vuk Veselinoviq shpreson se mësimi i gjuhës shqipe do ta ndihmojë atë të gjejë një punë. Ai është 33 vjeç dhe i papunë.

“Ne jetojmë në një vend të vogël dhe duhet të komunikojmë. Nuk mund ta bëjmë dot ndryshe,” tha Veselinoviq.

Pavarësisht interesit midis shqiptarëve dhe serbëve në Kamenicë për të mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, Stamenkoviq tha se është ende “e vështirë të imagjinohet” të shohim serbët dhe shqiptarët të përfshijnë gjuhët e njëri-tjetrit në kurrikulat mësimore.

“Kurrikulat mësimore në Kosovë janë të ndara dhe duhet shumë kohë për të punuar me tekstet shkollore. Unë mendoj se ky do të ishte një proces shumë i gjatë,” tha ai.

“Është e nevojshme të rinisim komunikimin”

Ndërkohë, Teuta Kastrati po jep orën e saj të parë të mësimit për shqiptarët që duan të mësojnë serbisht ose të avancojnë njohuritë e tyre për këtë gjuhë.

Ndryshe nga klasa e Bojanit, shumica e të pjesëmarrësve në klasën e Teutës janë zyrtarë komunalë, por ka edhe të tjerë.

“Besoj se ky kurs do të jetë një sukses. Tekstet janë hartuar shumë mirë dhe nuk ka asgjë për të nxitur ndjenja t ë këqija ndaj njërit komunitet apo ndaj tjetrit, apo të trajtohen çështje të ndjeshme etnike,” tha Kastrati për BIRN.

Kastrati tha se beson se banorët e komunës së saj komunikojnë më lirshëm sepse Kamenica ishte “më pak e prekur nga lufta”.

“Këtu ka më pak armiqësi. Njerëzit kanë jetuar në të njëjtin vend, ne kemi një treg të përbashkët ku shqiptarët dhe serbët blejnë produktet e njëri-tjetrit, kështu që e kemi mbajtur komunikimin,” shpjegoi ajo.

Kastrati është gjithashtu një punonjëse e komunës së Kamenicës që punon në Zyrën për të Rikthyerit dhe Komunitetet. E diplomuar për ekonomi, ajo flet rrjedhshëm serbisht falë nënës së saj boshnjake që është nga qyteti i Bijelinës. Babai i saj është një shqiptar nga Kamenica.

“Komuna e Kamenicës është një shembull i mirë i respektimit të dygjuhësisë. Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme që njerëzit vendas të komunikojnë me njëri-tjetrin. Ata tani shohin se është e nevojshme të rinisin komunikimin,” tha ajo.

Kastrati tha se marrëdhëniet ndëretnike po përmirësohen, por shumë ngadalë.

“Jugosllavia ishte një krijesë e veçantë dhe pasojat e shpërbërjes së saj kanë qenë gjithashtu speciale. Është e qartë se ka pasur investime në urrejtje, më shumë sesa imagjinonim,” tha ajo.

“Për një brez të tërë që ka vuajtur nga lufta, pritet që komunikimi të jetë i vështirë. Kjo do të vazhdojë derisa Serbia të pranojë krimet e saj të së kaluarës dhe të ndryshojë,” tha ajo.

Megjithatë, ajo që po ndodh në këtë qytet të vogël të Kosovës mund të jetë një shembull pozitiv.

“Pajtimi është i mundur,” këmbënguli Kastrati.