Rudar

Serbët bllokojnë komplet qarkullimin në Rudar

Serbët e zhvendosur nga Kosova kanë bllokuar rrugët afër Rudarës, në gjysmë të rrugës ndërmjet vendkalimit të Merdarës dhe Prokuplës.

Ndonëse ishte paralajmëruar se bllokada do të jetë vetëm për mjetet shqiptare, rruga është bllokuar në të dy drejtimet.

“Bllokada e rrugës do të bëhet çdo të hënë për tre orë nga ora 12:00 deri në ora 15:00 derisa të ndalet ‘terrori i përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë’”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së serbëve të zhvendosur nga Kosova, shkruan RTS.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka kërkuar që të mos përdoret pika kufitare në Merdar, për shkak të një proteste që është paralajmëruar matanë kufirit, në Serbi.

 Kjo qendër ka bërë thirrje që të përdoren pikat tjera kufitare për qarkullim.

“Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimit Kufitar në Merdarë, se në pjesën e SRB, për sot janë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve, prej orës 12:00-15:00.  Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim. Për çdo informatë shtesë kontaktoni numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, thuhet në njoftim.