Senati i UP-së refuzon avancimin e klientëve të dekanes Manxhuka

Ka rezultuar i pasuksesshëm një “operacion” rekrutimi me të cilin menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë synonte t’i bënte profesorë të kirurgjisë dy mjekë të lidhur me spitale private – Floren Kavajën, babai i të cilit është pronar i spitalit “Kavaja”, dhe Fahredin Veselajn, bashkëshortja e të cilit është pronare e spitalit “Vita”.

Të dyja këto institucione ku punojnë të dy mjekët janë “klientë të mëdhenj” të laboratorit “Patohistologjia-S”, pronare e të cilit është dekanja Suzana Manxhuka-Kërliu, shkruan sot Koha Ditore.

Të hënën Senati i Universitetit të Prishtinës ka pasur në rend dite çështjen e zgjedhjes së dy profesorëve të kirurgjisë. Me shumicë votash ky forum i Universitetit më të madh publik në Kosovë i ka kthyer mbrapsht propozimet për t’i bërë profesorë Kavajën e Veselajn. Shumë senatorë kanë ofruar dëshmi, sipas të cilave kandidatët meritorë ishin lënë jashtë, ndërsa ata me kredenciale minimale shkencore ishin propozuar për t’u avancuar me tituj akademikë. Por, pati edhe të atillë që avokonin për klientët e dekanes.

Më shumë se gjysmë ore është diskutuar ndërmjet anëtarëve të Senatit, përpara se të merrej vendimi. Për ta kanë qenë jobindëse argumentet që dekania Manxhuka-Kërliu i ofronte pro Kavajës e Veselajt. Ajo kurrkund nuk përmendte meritat e kandidatëve, por në vazhdimësi ka theksuar se në rastet kur Komisioni vlerësues e edhe Këshilli i Fakultetit vendosin për kandidatë të caktuar, atëherë Senati duhet bërë “aminin” atyre.

Por ka qenë rektori Marjan Dema ai që ka insistuar që para se të votohej të hapej debat. Kjo, pasi ka theksuar se rasti që lidhet me gradimin e kirurgëve është medializuar tashmë dhe kërkohet përballje argumentesh, përpara se të merrej vendimi