Selmanaj, VV-së: Nëse s’u rriten pensionet veteranëve e të verbërve, çfarë rritje po bëni

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur për Projektligjin për rritjen e pagës minimale në Kosovë.

Selmanaj tha se secila shoqëri i nderon ata që kanë dhënë më së shumti për shtetin, e ata janë veteranët.

“Secila shoqëri ndërtohet me disa vlera të saj. Vlera më sublime e një shoqnie është se si të vlerësojë ata që kanë kontribuar më së shumti, dhe ata janë veteranët. Ata ftohen në secilen situatë të rëndësishme shtetërore me respektin maksimal”, tha ai.

Këto komente ai i bëri duke iu referuar faktit se me pagën minimale nuk rriten pensionet e veteranëve.

“Pat një tendencë për të mashtru opinionin për të thanë që veteranët janë ndarë nga paga minimale. Unë kam bindjen që edhe kur e kemi bërë atëherë, i kemi mohu të drejtën që të punojnë. Ata duhet ta marrin atë si shpërblim. Ne duhet t’i vlerësojmë ata”, tha ai.

“Ne po u themi që as me rritjen e pagës minimale juve s’ju lejojmë”, tha ai.

“Cili është efekti nëse të verbërve e veteranëve, nuk u rriten pensionet, çfarë rritje po bëni?”, tha Selmanaj.

Sipas Selmanajt, ky projektligj është një pjesë e narracionit fiktiv dhe mashtrues.