Selmanaj: Sikur të vazhdonte qeveria e Mustafës, projekti i Thaçit s’do të lindte fare

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj beson se sikur të vazhdonte të ishte LDK-ja në krye të Qeverisë atëherë projekti i Thaçit për shkëmbim territoresh me Serbinë s’do të lindte fare.

Ai thotë se duhet të shikohet ndonjëherë te fqinjët për të kuptuar se çfarë po të ndodhë në shtëpi.

“Jo që ne nuk e kemi ditur, pasi ka mëse dy vite që LDK-ja ka qëndrim kundër Thaçit. Tash e shohim se ky projekt nuk e ka origjinën në Kosovë, por në Serbi, e për fat të keq ka gjetur argat në Kosovë me Thaçin dhe në Shqipëri me Edi Ramën. Por, fatmirësisht qëndrimi i qartë i LDK-së dhe i Vetëvendosjes kanë ndaluar këtë proces”, u shpreh Selmanaj në Interaktiv të KTV-së.

Ai thotë se e kanë ditur se Thaçi ishte i gatshëm të jepte 3 komuna, por jo 10-të, siç pretendon kryeministri i Maqedonis së Veriut, Zoran Zaev.

“Ne e kemi ditur se 3 komuna ka dashur me ia dhënë Serbisë, e jo 10. Ndoshta Thaçi shtë në gjendje t’ia japë Serbisë komunat deri në Prizren”, u shpreh Slemanaj.

Selmanaj thotë se ishte gabimi i Haradinajt që ia la në dorë dialogun Thaçit.

“Ajo çka na shqetëson neve janë takimet e fshehta me Serbinë. E Kosova asnjëherë s’ka pasur suksese nga takimet sekrete, në veçanti me Beogradin. Këta janë të pabesueshëm, kanë rrëshqitë aq keq. Për neve kjo ide ka qenë e përfunduar akoma pa lindur. Ne kemi kundërshtuar angazhimin e Thaçit. Kam bindjen se rrëzimi i Mustafës është bërë pasi ky projekt i Serbisë nuk do të mund të realizohej me qeverisjen e LDK-së, por me një qeverisje lehtë të thyeshme siç është kjo e sotmja”, tha Selmanaj.

Sipas tij me LDK-në në krye të Qeverisë, Thaçi nuk do të mund të ishte bartës i dialogut.

“LDK-ja pra është mbrojtësja kryesore e sovranitetit të Kosovës. Sikur të vazhdonte qeveria Mustafës roli nuk do t’i shkonte Thaçit në dialogun si bartës i këtij procesi. Jam i sigurt se me Mustafën ky proces nuk do të ndodhte. Në momentin kur Thaçi e monopolizoi këtë rast atëherë erdh rreziku”, ka thënë Selmanaj.

Ai shpreh bindjen se LDK-ja do të sillej shumë më përgjegjshëm në këtë rast.

Selmanaj ka folur edhe për ekipin negociator, të cilin e quan ekip turistësh.

“Ne kemi qenë shumë të saktë në kërkesën tonë, ne nuk e kemi kontestuar vetëm mandatin por edhe hierarkinë e saj. Çfarë është kjo krijesë hibride, e që për mendimin tim ishte një ekip turistësh. Nuk munden që proceset e rëndësishme të merren nga persona të parëndësishëm. E si është e mundur që këtë proces ta udhëheqë Limaj, si partia e gjashtë, e Ahmeti i papërvojë. Sikur ta lejonim që ky ekip turistik të funksiononte atëherë do të shkaktonte shumë dëme”, u shpreh Selmana.

Sipas tij me këtë ekip i është dhënë legjitimiteti presidentit Thaçi për të vazhduar projektin shkatërrues.

“Tash unë i kuptoj kolegët nga PSD-ja, sepse janë në gjendje të rëndë. Kjo ideja për të hyrë në negociata, më pas votimi i buxhetit. Ata u demaskuan se pazari është pazar, e një i tillë i keq s’mund të bëhet asnjëherë e mirë”, u shpreh ai.

Sipas tij kjo Qeveri është jo legjitime, pasi nuk e ka shumicën në Kuvend.

“Po të kishim një qeveri të konsoliduar e të shumicës parlamentare, atëherë s’do të kishte kuptim që të kërkonim zgjedhje edhe për shkak të dialogut. Kjo qeveri jo që s’ka legjitimet por s’ka asnjë atribut për të vazhduar të udhëheqë me shtetin. Këta do të vazhdojnë të vjedhin edhe ndonjë ditë deri sa të rrëzohet”, deklaroi Selmanaj.

loading…