Selmanaj: SHBA-ja sikur neve sot, i kanë reaguar vetëm Putinit, Asadit, Iranit e Kinës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar pas qortimit amerikan për Qeverinë e Kosovës pas veprimeve të sotme në veri të Republikës së Kosovës.

Selmanaj thotë se deklarata të tilla SHBA-ja ka dhënë kundër Putinit, Asadit, Iranit, Kinës dhe vendeve të tjera diktatoriale.

Ai ka thënë se është momenti i fundit që Kurti dhe zyrtarët e kabinetit të Kurtit të kuptojnë se s’ka epilog për interesat e Kosovës nëse veprimet në veri bëhen pa koordinim me aleatët.

Reagimi i plotë:

Departamenti Amerikan i Shtetit:

“Veprimet në veri u bënë kundër këshillës tonë, veprimet e sotme do të kenë pasoja të pariparueshme në raportet mes SHBA-së dhe Kosovës.”

Deklarata të tilla nga SHBA-të, i kemi lexuar vetëm kundër Putinit, Asadit, Iranit, Kinës dhe vendeve tjera diktatoriale.

E tmerrshme!

Është momenti i fundit që Albin Kurti dhe oborrtarët e tij, ta kuptojnë se veprimet në veri të vendit pa kordinim me aleatët strategjikë dhe pa ndërveprim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, epilog nuk do të kenë interesat tona kombëtare.