LDK

Selmanaj: Qeveria Kurti ka qasje anti-kombëtare me aleatët tanë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se qasja e Qeverisë Kurti në raport me miqtë e Kosovës është anti-kombëtare.

Sipas Selmanajt, loja e paskrupullt e qeverisë i ka shkaktuar dëme Kosovës në kuptimin e asaj që po të zbatohej Marrëveshja e Washingtonit, vendi do t’i kishte shumë të mira në kontekstin ekonomik, politik e gjeopolitik.

“Kosova është ende një projekt i papërfunduar në kuptimin e funksionalitetit të vet, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, dhe kjo qasje e kësaj qeverie është, lirisht mund ta them, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me miqtë tanë është qasje anti-kombëtare”.

“Po flasim për një marrëveshje që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në tempullin e demokracisë botërore dhe fatkeqësisht tash nuk po flasim për zbatimin e një marrëveshjeje të nënshkruar në këtë shtëpi të çmueshme për shqiptarët, por tashmë kemi masa sanksionuese nga këta miq dhe po nga kjo aleancë euro-atlantike Kosova është e izoluar, Kosova ballafaqohet me masa ndëshkuese”, tha Selmanaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se sanksionet nga aleatët ndërkombëtarë për Kosovën, në një periudhë më herët kanë qenë të paimagjinueshme e lëre më të ballafaqohet me to.

“Nuk po flasim për Korenë e Veriut, Rusinë, Vietnamin, por për Kosovën, për një projekt që është i përbashkët në botën e lirë. Fatkeqësisht ata janë detyruar si rezultat i kësaj qeverie jodemokratike të na shqiptojnë edhe masa sanksionuese”, tha ai.