Selmanaj paralajmëron seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të kundërshtuar heqjen e taksës

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë se opozita do të kundërshtojë çdo iniciativë të koalicionit qeverisës VV-LDK për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Sipas tij, përveç një seance të jashtëzakonshme plenare, mund të përdoren edhe metoda të tjera për të kundërshtuar heqjen e taksës.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se taksa ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar.

“Ne mendojmë dhe jemi të bindur se taksa duhet të mbetet në fuqi sepse është një argument i fuqishëm në dialog me Serbinë. Ndërsa sa i përket reciprocitetit në rregull të vendoset edhe kjo masë, por kjo nuk do të thotë me u largu taksa…një prej mundësive është seanca e jashtëzakonshme, do të shohim si do të jenë aktivitetet tona për ta kundërshtuar largimin e taksës”, ka thënë Selmanaj për KosovaPress.

Sot ndaj deklaratës së Kurtit u shprehën edhe zyrtarë të partive të tjera opozitare. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që dikur ishte shprehur publikisht pro heqjes së taksës, kërkoi nga Kurti që të mos ngutet me heqjen e taksës.