Selmanaj: LDK është pro lejimit të martesave mes gjinive të njëjta

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka deklaruar se partia e tij nuk është kundër lejimit të martesave mes gjinisë/seksit të njëjtë.

Sipas tij, Kodi Civil është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës, megjithatë tha se deputetët e LDK-së nuk votuan pro ndryshimit të tij në seancën e sotme të Kuvendit pasi nuk ka pasur sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje për një nen të projektkodit që lejon martesat mes gjinisë së njëjtë.

Në emisionin “DPT te Fidani” në T7, Selmanaj tha se VV-ja nuk e ka pasur këtë projektkod as në planprogramin e tyre gjatë zgjedhjeve.

“Kërkuam sqarime nga ta dhe nuk pati. VV ende besoj që nuk është parti por vetëm lëvizje. Për vota kanë flirtuar me lloj-lloj kategorie shoqërore në Kosovë. Prandaj mendoj se është në interesin e tyre që disa tema të mbesin tabu”, u shpreh deputeti opozitar.

“Nuk është problem për LDK-në martesa e personave të gjinisë së njëjtë. Kemi një orientim të qartë pro-perëndimor dhe këto të drejta vendet e zhvilluara i marrin si të mirëqena. Po, nuk ka pasur problem për LDK-në a të votohet kjo çështje. Por kemi kërkuar sqarime”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se VV-ja nuk ka votuar për rezolutën e LDK-së për dialogun, andaj nuk ishin të pranishëm në sallë.

“Kishte pezm për moskalimin e rezolutës se propozuar nga ne. Ajo rezolutë kishte vetëm dy pika. E para ishte që kryeministri të udhëheqë ato bisedime. E dyta ishte që të kemi ulëse në OKB dhe të marrim njohjen nga Serbia. VV ka shumicë të konsoliduar. Pse opozita duhet tua bëjë shumicën. Me thënë të drejtën nuk besuam që të ketë aq dallime brenda VV-së që të dalin votat ashtu”.