Selmanaj, Kurtit: Si është e mundur që po vraponi pas anulimit të autostradave në Kosovë, e s’jeni të informuar për marrëveshjet e Munihut

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka reaguar pasi që kryeministri Albin Kurti tha se nuk ishte në dijeni për marrëveshjet e nënshkruar dje në Munih ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të ambasadorit Richard Grenell, të dërguarit të presidentit Trump për Kosovën.

“Përpjekjet për t’ju shmangur pergjegjësisë, nuk të ndihmojnë, i nderuar kryeministër z. Kurti”, shkruan Selmanaj.

Sipas tij, marrëveshjet që u arriten dje dhe drejtimi i gishtit ka ish ministri Lekaj janë totalisht të papërgjegjshme.

“Fatkeqësisht ende po silleni si opozitë. Si është e mundur që Ministria e infrastrukturës të gjenë kohë duke vrapuar për anulimin e disa projekteve ndërsa për marrëveshjet në Munih na del se nuk qenkan të ‘informuar’ , kjo dëshmon se kjo qeveri dhe ky dikaster nuk e ka prioritet Kosovën, por projektet e caktuara si autostrada e Dukagjinit për t’i anuluar”, ka shkruar Selmanaj.

“Edhe nëse nuk e ka ditë z. Kurti, ai prap është pergjegjës. Është koha me ju dal përballë punëve sepse e keni fituar besimin e qytetarëve! Serbia dje edhe pa e hequr taksën ndoshta “ pa vetëdije” por është ulur në tavolinë me Kosovën”, ka shkruar në fund Selmanaj. /Ballkani.info/