Selmanaj: Kurti nuk është në frekuencë me ShBA-në

Driton Selmanaj ka komentuar vizitën e Albin Kurtit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se kryeministri i Kosovës nuk është linjë të njëjtë me këtë vend.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se injorimi që po i bëhet Kosovës nga ShBA-të, për të është shqetësuese.

Madje, ish-zv/kryeministri thotë se mund të ketë diçka këtu nga e kaluara. Ai përmendi refuzimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje për demarkacionin me Malin e Zi, “gazin lotsjellës apo sulmin ndaj ish-ambasadores amerikane, Tracey Jacobson”.

“Unë dua ta shoh presidenten edhe kryeministrin me integritetin më të plotë. Kanë mandat për këtë. I kanë votat maksimale me legjitimitetin më të madh ndonjëherë. Që nga fillimi kam pasur bindjen, e kam përshtypjen se koha po më jep të drejtë që qasja e Kurtit dhe qasja pragmatike që ShBA-të e tregojnë në probleme globale nuk kanë frekuenca të njëjta. Kosova për SHBA-në është çështje sigurie, nuk trajtohet ndryshe”, shtoi ligjvënësi opozitar.

Selmanaj thotë se kur Shtetet e Bashkuara e kritikojnë publikisht një shtet, atëherë sipas tij, ai shtet ka marrë fund, sa i përket raporteve bilaterale.

“A ka diçka këtu si rezultat i historisë i problemeve që zotëri Kurti i ka pasur me ta, qoftë për demarkacionin, gazin lotsjellës, apo goditjes së ambasadores Jacobson, qoftë raportit të ngurtë që ka pasur, apo refuzimi i projektit të gazit në Kosovë, krejt këto. Unë kam thënë disa herë kur fillon ShBA ta kritikojnë publikisht një shtet, ai shtet ka marrë fund në kuptimin e raporteve me të. Injorimi që po i bëhet shtetit të Kosovës nga administrata e ShBA-së për mua është më tepër se shqetësim”.

Megjithatë, deputeti i LDK-së theksoi se asnjë kryeministër të Kosovës nuk do të donte ta shihte në këtë situatë.

“Asnjë kryeministër të vendit tim, nuk do të doja ta shihja në këtë situatë. Uroj dhe shpresoj që zotëri Kurti të reflektojë, të kthejë shpejt projektin e gazit”, përfundoi ai në një intervistë për Kanal 10.

Megjithëse, shefi i qeverisë është në një vizitë zyrtare në ShBA që prej datës 6 maj.

Ai sipas një deklarate të zëdhënësit të ekzekutivit, do të qëndrojë edhe këtë javë përtej oqeanit atlantik.