Selmanaj: Derisa po flasim për të pagjeturit, në sallë janë vetëm 8 deputetë të VV-së

Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, në interpelancën e thirrur për kryeministrin Avdullah Hoti lidhur me dialogun me Serbinë, është sqaruar lidhur me një deklaratë rreth të pagjeturve.

Ai para deputetëve ka thënë se këto ditë ka dëgjuar fyerje e shpifje në adresë të tij lidhur me atë që kishte deklaruar ditë më parë.
“Unë asnjëherë në jetën time nuk kam thënë se tema e të pagjeturve është ezauruar. Unë kam thënë se instrumenti i raportimit për këtë temë është ezauruar. Shqip po flas dhe shqip kam folur”, ka thënë Selmanaj, raporton Ballkani.info.

Ai tutje ka thënë se tema e personave të pagjetur është ndjeshme dhe duhet të ketë kujdes me këtë çështje.
“Jeni duke dashur që edhe instrumentin e mbikqyrjes të Kuvendit ta devalvoni”, shtuar ai.

Më pas Selmanaj ka nxitur reagim e deputetëve të VV-së dhe drejtueses së seancës, kur ka thënë se në sallë janë vetëm tetë deputetë të VV-së derisa po flitet për të pagjeturit.

“Kur po flasim për të pagjeturit në sallë janë vetëm tetë deputet të VV-së. Unë po flas për të pagjeturit e Fitore Pacolli po qesh. Mos, sepse kjo është çështje shumë e ndjeshme”, ka thënë ai.
Pas fjalimit të Selmanajt ka reaguar drejtuesja e seancës, Arbërie Nagavci. “Zoti Selmanaj në sallë nuk janë tetë deputetë të VV-së, por më shumë, prandaj fol drejt”. /Ballkani.info/