Selmanaj: Bislimi duhet ta dijë se UÇK-ja është vlera më sublime e popullit shqiptar

Pas PDK-së, edhe LDK-ja e AAK-ja kanë reaguar ashpër kundër qëndrimit të Qeverisë për t’i hapur arkivat mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga LDK-ja ka reaguar deputeti Driton Selmanaj, i cili ka thënë se kushdo që pretendon që ka “arkiva” të UÇK-së, po vepron kundër Kosovës dhe ka rënë në grackën e Serbisë.

“Kushdo që pretendon që ka “arkiva” të UÇK-së dhe zotohet kinse t’i hap ato, po vepron kundër Kosovës dhe ka rënë me këmbë e duar në grackën e agjendës shoveniste të Serbisë. Përpjekja e tillë është e kahershme por asnjëherë nga pala shqiptare nuk ka pas njerëz që kanë pranuar të hyjnë në këtë agjendë tejet dashakeqe për vendin tonë. Duhet ta dinë të gjithë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vlera më sublime e popullit shqiptar dhe si e tillë do të ruhet dhe mbrohet nga kushdo që provon ta dëmtojë atë, qoftë ai edhe kryeministri apo zëvendëskryeministri i Kosovës”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Ndërkohë Pal Lekaj ka thënë se Kurti dhe profesorët e tij, duke aluduar në Besnik Bislimin, gjetën gjuhë të përbashkët me Serbinë jo për njohjen reciproke, e as për krimet e luftës, masakrat, drejtësinë për viktimat, por për UÇK-në.

Lekaj tha po ashtu se për Kurtin, UÇK është baras me arkivat e ushtrisë dhe policisë serbe, vrastare dhe kriminale, është baras me vuajtjet e një populli që u shtyp, u persekutua, u vra dhe u dhunua nga Millosheviqi dhe ata që i shërbyen atij.

Pas takimit dyditor në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij serb, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi më herët gjatë ditës së ishin dakorduar me palën serbe për hapjen e të gjitha arkivave. Një deklaratë e tillë ka ngjallur shumë reagime nga opozita e OVL e UÇK-së.