Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, aktualisht është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai sot ka njoftuar se është takuar me Bruce Ohr, nga Zyra për Marrëdhenie Ndërkombëtare (OIA) në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, të cilin e njoftoi me të arriturat në sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe diskutuan për mekanizmat që ka krijuar Kosova në luftimin e krimit të organizuar dhe atij transnacional, si dhe për avancimin e mëtejmë të një sistemi kredibil e efikas të drejtësisë.
Selimi shkruan në llogarinë e tij në Facebook se Kosova, falë përkrahjes së parezervë të ShBA-së, mund të krenohet për legjislacionin e saj të avancuar dhe adoptimin e praktiva më të mira në luftimin e krimit të organizuar.
“Një diskutim të hollësishëm patëm për marrëveshjen e ekstradimit, veçanërisht lidhur me rastet konkrete të personave të kërkuar nga ShBA, si dhe për mundësinë e ngritjes së kapaciteteve të Prokurorisë dhe Gjyqësorit përmes marrjes së ekspertizës së drejtpërdrejtë në ndjekje dhe gjykim të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit”, tregoi Selimi. Selimi përfundoi se SHBA është aleat i përjetshëm dhe partneri më kredibil i Kosovës, “Jemi të bekuar që si popull e shtet i kemi përqafuar idealet amerikane të lirisë dhe drejtësisë”, u shpreh ai.







