Selimi: Serbia i ka informacionet për fatin e Ukshin Hotit

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se dokumentari i publikuar mbrëmë në televizionin publik për veprimtarin Ukshin Hoti, ka hedhur dritë mbi vrasjen e tij.

Teksa komenton dokumentarin, Selimi shkruan se edhe përkundër faktit që Serbia ka informacione për fatin e Ukshin Hotit, asnjëherë nuk i ka publikuar ato dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i sjellë të dyshuarit para drejtësisë.

Tutje, Selimi thekson se Kosova nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin dhe të pagjeturit e tjerë. /Ballkani.info/

Postimi i tij i plotë:

Shfaqja e dokumentarit “Udhëve” në RTK, ka hedhur dritë mbi vrasjen e veprimtarit Ukshin Hoti, bazuar në një dokument që ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Qeveria e Serbisë, edhe përkundër faktit që ka informacione për fatin e Ukshin Hotit, asnjëherë nuk i ka publikuar ato dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i sjellë të dyshuarit para drejtësisë, siç nuk ka bërë për asnjë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë. Për më tepër, është e papranueshme disbalanca e presionit ndërkombëtar për krime lufte ndaj Kosovës krahasuar me atë ndaj Serbisë dhe që agresori të barazohet me viktimën në tavolinën e dialogut. Kosova nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin dhe të gjithë ata qytetarë të Kosovës, për fatin e të cilëve nuk dihet edhe 21 vjet pas lufte. Nuk do të lejojmë që krimet të mbesin pa u ndëshkuar.