Selimi: Nuk mbështetemi te Lista Serbe për rrëzimin e Qeverisë, PSD-së nuk i besoj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë se Kosova nuk duhet të shkojë në negociata, ngase kjo i konvenon Serbisë, e Kosova vetëm humb.

Për rrëzimin e Qeverisë thotë se nuk do e bëjnë me Listën Serbe, por që nuk i beson as PSD-së.Flet për afërsinë e këtij subjekti me LDK-në, ndërkohë për Ramush Haradinajn thotë se nuk po di të qeverisë.

Numri i luftëtarëve të UÇK-së thotë se nuk kalon në asnjë formë mbi 20 mijë dhe tregon pse nuk ka aplikuar për veteran. Selimi në një intervistë 45 minutëshe për KosovaPress tregon edhe nëse ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Rexhep Selimi thotë se PSD-ja ikën, por që Vetëvendosje vetëm po rritet. Ndërsa, deklaron se në AAK nuk kthehet më kurrë: “Nuk e bëj këtë gabim”. Për LDK-në, deklaron se tani kanë raport tjetër dhe që e vlerëson qasjen e saj.

Selimi kur flet për ekipin negociator, thotë se megjithëse po proklamon se po shkojnë në Bruksel ta ndalojnë Thaçin të mos bëjë keq, po bëjnë të kundërtën.

Ai vlerëson se ekipi negociator nuk është shtetëror, por, siç e quan ai, ekip qeveritar. Kur flet për liberalizimin e vizave thotë se pushteti i asaj kohe i mashtruan qytetarët, por edhe ata që e nënshkruan demarkacionin e edhe ata që e votuan.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk e kishte kusht demarkacionin për të përfituar liberalizimin. Madje thotë se as tani nuk është kusht njohja e Serbisë.

Për deputetët që shkojnë në seancat e Kuvendit nënshkruhen dhe dalin, ai thotë se mëditja iu njihet. Ngase, sipas tij, ata nuk e kanë vend pune seancën, por mandatin.

Në Kuvend thotë se mazhoranca i ka humbur numrat, por as opozita nuk i ka numrat për t’i rrëzuar ata. Sipas Selimit, tashmë janë katër grupe në Kuvendin e Kosovës: pozita, opozita, Lista Serbe dhe PSD-ja.

Selimi ka folur edhe për luftën e UÇK-së. Sipas tij, nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë ndërkohë thotë se është keqpërdorur shumë me listat e veteranëve.
Thotë se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, por nëse do të ketë, do t’i përgjigjet. Sipas tij, lufta e UÇK-së është vrarë kur është votuar kjo Gjykatë në Kuvend.

Ndërkohë për Ramush Haradinajn vlerëson se nuk po di të qeverisë dhe se është zhgënjyer me të. Hashim Thaçi, për Selimin nuk është president i tij, nuk është figurë uniteti, por ndarëse siç e vlerëson ai. Dhe thotë se ai ka qëllime personale.