Selimi: Nuk do të lejojmë që humbësit ta krijojnë qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka bërë të ditur se vetëm fituesit i takon krijimi i qeverisë.

Sapo ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u diskua në lidhje me nismën ligjore të iniciuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për COVID-19.

Mirëpo këtë mbledhje të Kryesisë e kanë lëshuar përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, deklaroi se në Kushtetutën e Kosovës është fare mirë e qartësuar se fituesit i takon krijimi i qeverisë dhe askujt tjetër.

Selimi po ashtu bëri të ditur se do ta ndalojnë formimin e qeverisë nga siç u shpreh ai, humbësit e zgjedhjeve.

“Ne do të jemi në mbështetje të Kushtetutës, e cila nuk ia jep askujt tjetër të drejtën që të formojë qeverinë përveç fituesit. Ajo që është në Kushtetutë është e qartë, se askush nuk ka të drejtë ta bëjë qeverinë përveç fituesit. Unë jam i vetëdijshëm që ata duan të bëjnë qeverinë me humbësit, por kjo nuk duhet të ndodhë”, deklaroi Selimi.