Selimi: Në takimin për krijimin e “Mini-shengenit”, interesat e shqiptarëve nuk i përfaqëson askush

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se në tavolinën ku po diskutohet për krijimin e “Mini-shengenit”, nuk mungon vetëm Kosova, por edhe Shqipëria.

Kjo sepse sipas Selimit, interesat e shqiptarëve nuk përfaqësohen as nga kryeministri Rama.

“Në këtë tavolinë nuk mungon veç Kosova, aty mungon edhe Shqipëria. Interesat e shqiptarëve nuk përfaqësohen nga asnjëri nga këta të katër”, ka shkruar Selimi.

Aktualisht në Tiranë po mbahet një takim mes krerëve të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë veriore dhe Malit të Zi.

Në fotografinë e publikuar nga Selimi, shihen kryeministri Rama, presidenti Aleksandër Vuçiq, kryeministri Zaev dhe presidenti Gjukanoviq.

Shteti i Kosovës ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim. Ndërsa shumë qytetarë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë protestuar lidhur me mbajtjen e këtij takimi.