Selimi: Me LDK-në takohemi këtë fundjavë, çështja e presidentit është në tavolinë

Rexhep Selimi deputet nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk mund të kthehen në datat të cilat kanë kaluar.

Ai ka thënë se me LDK-në do të takohen në fundjavë, duke shtuar se, çështja e presidentit do të jetë në tavolinë.

“I vetmi vendim i drejtë i cili u bë në legjislaturën e shtatë, ishte zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë dhe ju po doni ta zhbëni. Ne do të takohemi këtë fundjavë, përderisa shkojmë në tavolinë. Çështja e presidentit është në tavolinë, çështja e ministrive është në tavolinë. Tavolina e kësaj jave do të zgjedhë shumë çështje. Besoj që do të ketë kompromis nga të dyja palët”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe pas fitores së 6 tetorit VV ka qenë e gatshëm të diskutojë menjëherë por se LDK-ja donte të priste certifikimin e zgjedhjeve.

Ai thotë se para 26 dhjetorit VV-ja ka dashur të shkojë me marrëveshje në seancën konstituive.

“Ka ardhur koha përfundimtare që duhet ta arrijmë marrëveshjen me LDK-në duke besuar që ata do ta kuptojnë se kush janë kundërshtarët e këtij bashkëpunimi. Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet ne duhet ta dimë ku po shkojmë. Ne duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve se çfarë jemi duke bërë”, ka thënë ai.

Selimi tutje shton se seanca konstituive e Kuvendit ka ndodhur në ditën e fundit të mundshme.

Ai thotë se nuk ka besuar që atje do të shkojnë pa marrëveshje.

“Ne ju kemi kërkuar LDK-së që tua votojmë kandidatin e tyre por ata nuk kanë dashur. Vjosa Osmanin e kanë pyetur se a është qëndrim i LDK-së, ajo ka thënë jo. Përveç se nuk e kërkuan ata edhe e votuan. Ne nuk e kemi komplikuar situatën veç e veç, sepse ka qenë edhe votë e përbashkët edhe dakordim i përbashkët seanca e 26 dhjetorit”, ka thënë ai.

Ai thotë se LDK-ja në seancën konstituive ka mundur të kërkojë të shtyhet, por se ajo e ka propozuar edhe kandidatin për nënkryetar të Kuvendit.

Sipas tij, nëse me emërimin e Konjufcës si kryetar i Kuvendit LDK-ja do të donte ta ndërpriste bashkëpunimin, atëherë është e pakuptueshme prezantimi i ofertave.

“Para se të ndodhte 26 dhjetorit raportet kanë qenë të qarta që ndarja e përgjegjësive në qeveri do të ishte 50-50. Ne jemi dakorduar që marrëveshja për presidentit të lihet më vonë. Madje vetë Kurti ka thënë se njëherë do të flasim për vendet bosh e pastaj të flasin për vitin 2021. Ne asnjëherë në këtë fazë nuk kemi thënë që postin e presidentit e do për vete. Posti i presidentit nuk është dakorduar ende me LDK-në”, ka thënë ai.

Selimi thotë se VV e ka dëgjuar LDK-në derisa kanë kërkuar balancim pushtetesh.

Ai thotë se çështja e presidentit do të diskutohet me LDK-në tash e tutje.

“Ne kemi qenë të kujdesshëm deri në fund te ndarja e barabartë e përgjegjësive. Ne e kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit, nëse bëhet fjalë për partnerë qeverisës ne kemi qenë të gatshëm që ata të kenë më shumë dikastere, madje ata kanë zgjedhur edhe të parët. Nuk jemi të fokusuar të japim e të marrim shumë, jemi të interesuar të vendosim drejtë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kur k qenë në pushtet LDK ka pasur edhe presidentin edhe kryetarin e Kuvendit.

Ai thotë se kur ka qenë LDK-ja e para ka qenë dy poste të pakontestueshme.

Selimi thotë se Vetëvendosje ua dha pozitën e kryeparlamentarit.