Selimi: Kosova nuk doli me fitore nga nënshkrimi i Hotit në Washington

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se fjalimi i Hotit është retorikë për ta mbushur retorikën e zbrazët.

Selimi ka thënë se do të shihet më vonë se çfarë ka fituar Kosova nga letra e zotimeve që u nënshkrua në Uashington.

“Ju folët për normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje po ashtu edhe me Serbinë. Letra që e keni nënshkruar ju ishte një qasje që përkon me problematikat e shteteve të Lindjes së mesme”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se Hoti nuk e ka njoftuar Kuvendin për nënshkrimin e zotimeve në Uashington.

Sipas tij, as vetë ai nuk e ka ditur se do ta nënshkruajë.

“Nëse paska fituar Kosova, çfarë fiton Kosova me Mini-Schengenin. Çfarë fiton Kosova, çfarë përfiton me daljen e Serbisë në Adriatik, çfarë fiton Kosova nëse Serbia bëhet hisedarë në Ujmanin e Kosovës”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se Kosova nuk doli me fitore nga nënshkrimi i Hotit në Washington.

Ai ka thënë se për dialogun Kosovë-Serbi janë miratuar 6 rezoluta, ndërkaq lidhur me këtë temë është shtuar edhe një draft-rezolutë sot nga Lëvizja Vetëvendosje.