Selimi kërkon kujdes dhe analizë para se të shfuqizohet Task-forca Anti-Korrupsion

Qeveria e Kosovës sot pritet ta shfuqizojë Task-forcën Anti-Korrupsion. Ky propozim është bërë i ditur në agjendën e Qeverisë, ku thuhet se do e shqyrtojë propozim-vendimin për shfuqizimin e kësaj Task-force në kuadër të Policisë së Kosovës. E për këtë qëndrimin e tij e ka paraqitur ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i cili kërkoi kujdes me qëllim që mos të dëmtohen hetimet për rastet që ende janë në proces.

Selimi këto komente i bëri në eventin kur u prezantua raporti i EULEX-it “Monitorim Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit”.

I pari i drejtësisë në Kosovë tha se para se të shfuqizohet Task-forca Anti-Korrupsion duhet të analizohet edhe implikimet e rishikimit funksional në raport me këtë Task-forcë.

“Para se të bëhet një gjë e tillë duhet të bëhet një analizë pikë së pari implikimet e rishikimit funksional në relacion me Task-forcën, gjithashtu duhet të diskutojmë për disa prej rasteve të rëndësishme të profilit të lartë të cilat Task-forca i ka përsipër e për cilat duhet të kujdesemi që mos t’i shkaktojmë dëm procesit të hetimit të këtyre rasteve të profilit të lartë. Rritja e efikasitet mendoj se gjithmonë është pozitive, por mendoj se në çdo rritje të efikasitetit duhet ta kemi një plan, e shuarja e menjëhershme e kësaj Task-force ndoshta do e diskutojmë në Qeveri sot, do e prezantoj ministri, Veliu por pozicioni im është që duhet të kemi kujdes me këtë rast specifik për shkak të punës së mëhershme të cilën e ka Task-forca”, tha Selimi.

Kurse, drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova derisa shprehu përkrahjen e tij për këtë Task-forcë, tha se ky departament ka bërë kryer punë të jashtëzakonshme.

“Krijimi i departamentit kundër korrupsionit në kuadër të Prokurorisë Speciale është një hap i cili mendojmë se do e fuqizojë këtë bashkëpunim akoma më shumë dhe do e shohim në të ardhmen se si do i ndërlidhim këto njësi apo sektor me departamentin që ta kemi një adresë të saktë dhe përgjegjës Prokurorinë Speciale ku mund t’i adresojmë të gjitha çështjet që ndërlidhen me rastet e profilit të lartë….Në aspektin hetimor janë kryer punë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe aktivitete të rëndësishme në rastet e profilit të lartë po ashtu edhe të korrupsionit mbetet në të ardhmen që ne këtë përpjekje ta ngrisim akoma më shumë. E mbështesë punën që po e bënë Task-forca diskutim nuk ka, është një departament dhe e vlerësojë jashtëzakonisht punën që është bërë dhe diskutim nuk ka, a ka probleme ka“, tha Shillova.

Të suksesshme këtë Task-forcë e ka konsideruar edhe misioni EULEX-it në Kosovë. Ku në raportin e publikuar për “Monitorim Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit”, thuhet se suksesi i kësaj Task-force nga pozita e saj unike në hierarkinë e Policisë së Kosovës dhe vijave të saj të veçanta të raportimit garanton pavarësinë e saj.

Të gjeturat e këtij raporti për Task-forcën thonë se është vërejtur një tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare votohet nga PSRK-ja deri në momentin e fundit

“EULEX-i ka vënë re se Task-forca ka zbuluar dhe ndërmarrë hetime të profilit të lartë që përfshijnë persona të njohur dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste të ndërlikuara financiare, siç janë ato që ndërlidhen me privatizime apo tenderë publikë, që i kanë shkaktuar buxhetit publik dëme të vlerësuara në miliona euro buxhetit publikë….Disa hetime kanë ngecur për shkak të bashkëpunimit të mangët mes policisë dhe prokurorisë. Është vërejtur një tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare votohet nga PSRK-ja deri në momentin e fundit, ndoshta me qëllim të zgjatjes së procedurës në mënyrë të hetimet të zgjaten përtej afatit kohor ligjor prej 2 viteve apo për zbutjen e presioneve të tjera”, thuhet në gjetjet e raportit.

Për shuarjen e Task-forcën Anti-Korrupsion zërin e kanë ngritur edhe shoqëria civile. Instituti I Kosovës për Drejtësi ka reaguar duke e quajtur këtë vendim si hakmarrje e politikës ndaj zyrtarëve të Task-forcës.