Selimi: Haradinaj ia jep dinjitetin postit të presidentit të Kosovës

Ministri i Drejtësisë, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Selim Selimi, i ftuar në RTV21, në emisionin Argument Plus ka folur për qëndrimin e tij për kandidatin për president, Ramush Haradinaj.

“Ne e kemi marrë një vendim partiak, si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, që negociatat t’i udhëheqë kryetari Ramush Haradinaj dhe kandidat i yni për president është Ramush Haradinaj”, ka theksuar Selimi.
Formula e zgjedhjes së presidentit është votimi nga Parlamenti, dhe sipas Selimit kjo do të thotë se janë pozicionuar haptas dhe në mënyrë transparente dhe në një kohë të caktuar.

“Presidenti akual e ka mandatin e vet, por zgjedhja e presidentit duhet të bëhet para përfundimit të mandatit, siç është bërë edhe herave të kaluara. Ne e kemi një kanditat dhe ky është Ramush Haradinaj. I cili mendoj se e ka rrugëtimin e vet ushtarak dhe politik, i cili ia jep dinjitetin postit të presidentit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Selimi.

Ai tutje ka thënë se Haradinaj i përcakton gjithashtu edhe obligimet kushtetuese që ta tregojë që është faktor unifikues shtetëror, pasi gjatë qeverisjes së tij dhe angazhimit të tij politik edhe sa ka qenë në pozitë dhe në opozitë, ka qenë pjesë e të gjitha temave të mëdha nacionale, “Bashkëpunimi i tij dhe i Alancës edhe sa ka qenë në opozitë, p.sh. për dialogun e kemi pasur kandidat dhe kur kemi qenë në pozitë, në qeverisje me LDK-në në vitin 2004, pastaj me PDK-në në  2017 dhe tash prapë me LDK-në dhe NISMA-n, tregon që ai plotëson kushtet që të jetë faktor unifikues”, shtoi tutje Selimi.

“Me paraqitjen e kandidaturës së Ramush Haradinajt për president, është thirrja që ky është kandidati ynë dhe ky i plotëson të gjitha kushtet kushtetuese që ta mbajë atë pozitë dhe për shkak të stabilitetit nacional”, ka thënë më tej ministri Selimi.

Gjithashtu, Selimi ka folur edhe për deklaratën e deputetit të LDK-së, Arben Gashi ku thotë se posti i presidentit mund t’i takojë LVV-së për shkak se koalicioni qeverisës nuk mund t’i marrë 80 vota.

Selimi ka thënë se AAK-ja nuk pajtohet me deklaratën e Arben Gashit dhe se e Aleanca e ka kanditatin e vetë për president dhe ai është Ramush Haradinaj.