Selimi: Edhe pse isha pjesë e delegacionit në Bruksel, Hoti më la jashtë takimit

Ministri i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, ka treguar momentin kur kanë filluar problemet LDK-AAK sa i përket dialogut.

Selimi ka zbuluar detaje nga takimi në Bruksel ku edhe filloi përplasja mes AAK’së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ne kemi qenë në ndërtesën e EAAS ku zhvillohen bisedimet. Zoti Hoti në takim ka hyrë vet dhe nuk na ka ftuar mua dhe zëvendëskryeministren Albulena Balaj-Halimi që ishim pjesë e delegacionit. Ne pas atij takimi i kemi dërguar letër zyrtarisht nga AAK por edhe publikisht i kemi treguar se AAK ka hyrë në koalicion me një kontratë ku mbrojmë një platformë të bisedimeve që e mbrojmë tërësinë territoriale të Kosovës e jo për dialog teknik”, tha ai në Rtv Dukagjini.

Edhe deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj ka thënë se me LDK-në kanë mospajtime të mëdha sa i përket zhvillimit të dialogut.

“Ne haptas i kemi thënë këtij kryeministri se dialogu pa SHBA-në nuk mund të bëhet. Dialog nuk bëhet edhe pa partnerët e koalicionit qeverisës…Ne po presim që situata me dialogun të ndryshojë. Po presim që Isa Mustafa të shërohet dhe të diskutohet kjo çështje. LDK duhet ta dijë se është gabim në këtë drejtim dhe nuk shkon kështu”, deklaroi Muharrem Nitaj.