Selimi – Bislimit: Ik nga dialogu teknik i BE-së, fto SHBA-në në tavolinë!

Ish-ministri i drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi ka kritikuar qeverinë aktuale, respektivisht zv.kryeministrin Besnik Bislimi, lidhur me dialogun teknik në Bruksel.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka ftuar Bislimin që të tërhiqet nga ky dialog i konsumuar dhe të ftojë SHBA-të në të.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Tashmë është bërë e njohur se saherë që kjo Qeveri dëshiron të kamuflojë koncesionet që i bëjnë me Serbinë dalin me fjalën “reciprocitet”.
Zv. Kryeministri Bislimi sot paska deklaruar për hapjen e arkivave. Paska kërkuar që të hapen “arkivat e UÇK-së”. Prej qëndrimit “nuk ulemi me Serbinë pa kërkuar falje” tash kjo Qeveri është në pozicionin e fabrikimit dashakeq ku e krijon një çështje antikombëtare dhe të njejtën ja jep Serbisë dhuratë.
“Arkivat e UÇK-së” janë shpikje e Beogradit dhe prodhohen atje për të ushqyer propagandën antishqiptare dhe mekanizmat politik që janë krijuar nga eksponentët e afërt me Serbinë.
Këtë deklaratë skandaloze e përcjell me fjalën “reciprocitet” për targa. Ky është gjithçka pos reciprocitet. Qytetarët serbë të Kosovës tashmë kanë nga dy palë targa dhe kalojnë pa problem në Serbi. Në anën tjetër Shqiptarëve të Luginës me targa VR, BU dhe LE të Serbisë do tju pamundësohet qarkullimi i lirë në Kosovë.
Nuk e di a është amatorizëm apo strategji dashakeqe. Nuk e di si mundet kryenegociatori të negociojë me ritëm të përcaktuar nga Vuçić dhe Lajçak duke bërë koncesione që dëmtojnë Kosovën dhe shqiptarët e Luginës.
I nderuar Zv Kryeministër, të lutem, kthe në tavolinë ShBA-të. Ik nga dialogu teknik i BE-së se është konsumuar tashmë. Mos lejo tema të cilat gatuhen mjeshtërisht për të na mbajtur peng.