Franco Foda

Selektori i Kosovës i gëzohet suksesit të Leverkusenit, skuadrës me të cilën shkroi histori

Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka qenë kapiten i Bayer Leverkusenit në edicionin, kur skuadra gjermane e kishte fituar trofeun e parë në histori.

Foda në vitin 1993 e kishte ngritur lart trofeun e Kupës së Gjermanisë. Dhe natyrisht, ai ka kujtime të mira prej kohës kur ishte futbollist aktiv.

Gjermani Foda e përcjell vazhdimisht skuadrën e Leverkusenit, ndërsa të premten ka folur për mediumin austriak “servustv”, për arritjen madhore të skuadrës ku luan Granit Xhaka.

58-vjeçari Foda vlerëson se Leverkuseni i drejtuar nga Xabi Alonso e ka merituar avancimin në finale të Ligës së Evropës. Finalen e siguroi të enjten mbrëma, duke barazuar 2:2 me Romën.

Leverkuseni barazoi shifrat në minutën e 97-të me kroatin Josip Stanishiq, pas asistimit mjeshtëror të Granit Xhakës. Ndeshjen e parë, Leverkuseni e kishte fituar në “Olimpico” të Romës me rezultatin 2:0.

Në finalen e 22 majit në Dublin të Republikës së Irlandës, Leverkuseni do të ballafaqohet me një tjetër skuadër italiane, Atalantan. Atalanta e eliminoi Marseillen në një tjetër paraqitje mbresëlënëse në Evropë.   

“Kjo tregon për skuadrën e Leverkusenit, që gjithmonë beson në vete. Te Leverkuseni duan dramë, duan spektakël. Njëjtë ishte edhe ndeshja e fundit. Këndellja erdhi pas disavantazhit 2:0. U deshën vetëm disa minuta që ata të ktheheshin në lojë dhe luajtën qetë. Të jepnin ndjenjën se mund ta kthenin ndeshjen. Po ashtu, inkuadrimi i Wirtzit dhe Schikut solli energji. Nëse i sheh 97 minutat, mund të themi se Leverkuseni e meritoi finalen”, ka theksuar Foda, i cili beson se rekordi i ri me 49 ndeshje pa humbje i Leverkusenit do të mbetet gjatë pa u thyer.

“Kjo është ADN-ja e skuadrës. Te Leverkuseni duan ta fitojnë çdo ndeshje. Ata duan që ta vazhdojnë këtë ecuri. Këtë e sheh në çdo fazë deri në përfundim të ndeshjes. Ata kishin një apo dy mundësi të mira shënimi para se ta shënonin golin në fund”, theksoi Foda.

Leverkuseni në ecurinë pa humbje të edicionit aktual ka fituar plot 40 ndeshje, ndërsa ka barazuar në nëntë të tjera. Benfica e legjendës portugeze, Eusebio, nuk kishte pësuar humbje në 48 ndeshje rresht, prej dhjetorit të vitit 1963 deri në shkurt të vitit 1965. 49 ndeshje pa humbje është rekordi prej kur kanë nisur garat kontinentale, përkatësisht të UEFA-s.

Kapiteni i Zvicrës që luan te Leverkuseni, Granit Xhaka, ishte prej më të mirëve në ballafaqimin kundër Romës. Ai pati dhjetë pasime vendimtare, që është rekord për një ndeshje të Ligës së Evropës në edicionin aktual.

Por si Xhaka, ashtu edhe selektori i “Dardanëve”, Foda, parashikojnë duel tejet të fortë e me forca të barabarta në finalen e Dublinit, më vonë në këtë muaj.

“Do të jetë ndeshje shumë e fortë. Të dyja skuadrat luajnë me formacionin e njëjtë, me tre mbrojtës prapa. Por Atalanta ka qasje më ndryshe. Kjo skuadër është shumë mirë e orientuar, shumë agresive dhe jashtëzakonisht e mirë në daljen para. Do të jetë interesante, ndeshje e nivelit shumë të lartë”, ka deklaruar Foda.

Foda në karrierën si profesionist ka luajtur si mbrojtës. Ka luajtur për Sturm Grazin, Baselin, Stuttgartin, Saarbruckenin e Arminia Bielefeldin. Skuadra e parë seniore për të ishte Kaiserslauterni.

Pikërisht ky ekip do të jetë kundërshtari i fundit i Leverkusenit për edicionin aktual.

Më 25 maj, Leverkuseni dhe Kaiserslauterni do të luajnë në finalen e Kupës së Gjermanisë.

Para këtij dueli, Leverkuseni udhëton te Bochumi dhe e pret Augsburgun në Bundesligë. Më pas luan kundër Atalantas.