Në përfundim të seancës së sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, duke replikuar ndaj Gërvallës përmendi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli, që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Selakoviq i tha Gërvallës se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim në Hagë për “krime” kundër popullatës serbe, përcjell Demokracia.com.
“Ju rikujtojë se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ata nuk janë duke luajtur letra, por po mbahen në Hagë për krimet që kanë kryer ndaj popullatës serbe”, deklaroi Selakoviq.
Pas kësaj reagoi Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, por ajo nuk i mbrojti Thaçin e Veselin përballë pretendimit të kryediplomatit serb, por përmendi babanë e saj, veprimtarin Jusuf Gërvallën.
“Mbiemri im është Gërvalla dhe jo vetëm Schwarz. Babai im ka qenë një shkrimtar, gazetar e këngëtar. Mbiemri Gërvalla nuk është i panjohur për Serbinë. Sepse, regjimi serb e dëboi atë nga Kosova dhe e vrau”, ka thënë Gërvalla. /Demorkacia.com/







