Enlirat Duraku, sekretar i Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësor, ka hyrë i vetëm në grevë urie.

Kjo gjë sipas tij po bëhet për shkak siç thotë ai, neglizhencës që po iu bëhet punëtorëve shëndetësorë.

Duraku për Ballkani.info ka thënë se kërkesat e kahmotshme të tyre janë pagesat e ndërrimit të natës që të rriten nga 18€ në 36€, të paguhen orët shtesë dhe puna gjatë vikendeve, si dhe pagesa e rrezikshmërisë.

“Bordi i Postës e miraton pagën prej 2500€ për zyrtar të tyre, ndërsa un së bashku me infermierët e mi, të cilët ende bukë nuk kanë ngrënë duke iu shërbyer qytetarëve të prekur me Covid19, paguhemi vetëm 18€ për ndërrim nate, kjo është e turpshme. Unë nuk po kërkoj 2500€ pagë, kërkoj vetëm:

1. Pagesa e ndërrimit të natës të rritet nga 18€ në 36€,

2. Të paguhet orët shtesë dhe puna gjatë vikendeve,

3. Të paguhet rrezikshmëria

“Për shkak të gjendjes në të cilën po kalon vendi ynë dhe për hirë të transparencës, do jem prezent gjatë gjithë kohës në vendin e punës, në asnjë moment nuk do ndaloj t’i kryej detyrat dhe përgjegjësitë e mia që i kam ndaj institucionit, kolegëve dhe qytetarit deri sa të ma pamundësojnë fuqia fizike dhe psiqike, ndërsa grevën e urisë do e ndërprej kur të realizohen këto kërkesa”, ka thënë ai për Ballkani.info.