Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: Kosto e një konflikti në Ukrainë, shumë e lartë, katastrofike

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres deklaroi gjatë ditës së sotme se është thellësisht i shqetësuar nga tensionet dhe spekulimet në rritje për një konflikt të mundshëm ushtarak në Evropë.

Guterres referuar situatës së tensionuar në Ukrainë tha se çmimi i një konflikti të mundshëm është shumë i lartë për t’u menduar, shkruan CNN.

Këto komente Sekretari i OKB-së i bëri pas një takimi që kishte me kryediplomatët e Ukrainës dhe Rusisë.

“Çmimi i vuajtjes njerëzore, shkatërrimit dhe cenimit të sigurisë evropiane dhe globale është shumë i lartë për t’u menduar. Ne thjesht nuk mund të pranojmë as mundësinë e një konfrontimi kaq katastrofik.

Mesazhi im është i qartë: Nuk ka alternativë ndaj diplomacisë,” tha Guterres duke premtuar angazhim edhe në ditët dhe orët në vijim për të shtensionuar situatën.

Ai tha se ekipi vendor i kombeve të Bashkuara mbetet plotësisht operacional në Ukrainë dhe se ka ardhur koha për të zbutur tensionet.

Gjatë ditës BBC raportoi se Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka deklaruar se do të tërheqë një pjesë të trupave nga kufiri me Ukrainën.

Vendimi ka ardhur sipas autoriteteve ruse pasi forcat e ushtrisë kanë përmbushur stërvitjet që vijonin prej disa javësh.

Rusia kishte pozicionuar rreth 130,000 trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke përfshirë rreth 30,000 trupa që merrnin pjesë në stërvitjet ushtarake në Bjellorusi.