Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemaili, e ka quajtur ambasadorin Martin Berishaj “ambasador të pareve të pista” duke kërkuar “sa më shpejt shkarkimin e tij”.

Sipas tij, Qeveria e Albin Kurtit, nuk po di se çfarë të bëjë me këtë “megaskandal parash të vjedhura”.

“Tani më, me këtë megaskandal parash të vjedhura, nuk po dijnë ç’të bëjnë, prandaj, në vend se të shkarkojnë ambasadorin, po e mbrojnë që, në fakt, po mundohen të mbrojnë veten, pasi janë në bashkëveprim të plotë me te”, ka shkruar ai.

Po ashtu, duke komentuar në lidhje me qeverisjen e Albin Kurtit, Xhemaili ka deklaruar se “deri më tani as që nuk e ka kuptuar rolin e udhëheqjes së shtetit”.

“Si Qeveri e Parlament, siç është parë deri sot, as që e kanë kuptuar rolin e udhëheqjes së shtetit, pasi në vend se të veprojnë e të kryejnë punët e tyre, ende vehen në rolin e opozitës për të kritikuar rivalët, si dikur, për ato të bëra e të pabëra qe sa e sa vite…”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemaili.