Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë të enjten se NATO-ja është shumë e përkushtuar për të ruajtur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se pas transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, NATO-ja është duke rishikuar shkallën e bashkëpunimit me këtë Forcë.
Ai ka thënë se diskutimet për këtë çështje janë duke vazhduar dhe se vendimi do të merret më së largu në fillim të pranverës.
Stoltenberg ka përmendur se ekziston marrëveshja e vitit 2013, sipas së cilës Kosova zotohet se nuk do të dërgojë forca të FSK-së në veri të Kosovës pa pajtimin e KFOR-it.
Marrëveshja që ka përmendur Stoltenberg thuhet se është arritur përmes një këmbimi letrash më 2013 ndërmjet sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe atëbotë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai edhe njëherë përmendi taksën prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në importet e Serbisë dhe Bosnjës, duke thënë se kjo masë ka pasur ndikim negativ në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i aleancës veri-atlantike ka thënë gjatë konferencës për media në Bruksel, se misioni i KFOR-it në Kosovë vazhdon të jetë i pandryshuar, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ne jemi aty për të siguruar ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe ajo është çfarë jemi duke bërë tani”, ka shtuar Stoltenberg.
Aleanca Veriatlantike pati shprehur skepticizëm në kohën kur është tranformuar FSK në ushtri, duke thënë se një gjë e tillë po ndodhë në kohë të papërshtatshme, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar mbështetje të fuqishme në këtë proces.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.
FSK-ja aktualisht ka 2,500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pritet të dyfishohet pas ndërrimit të mandatit.







