Sejdiu thotë se Oda e Mjekëve nuk e paditi Vitinë, paralajmëron padi për SHSKUK-në

Oda e Mjekëve të Kosovës në mars kishte paditur ministrinë e Shëndetësisë për mospagesën e shtesave për mbi 400 mjekë, por gjatë së martës u raportua se ishte paditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka sqaruar se është keqinterpretuar deklarata e tyre dhe se padia është ngritur gjatë kohës së ish-ministrit të ministrit Armend Zemaj.

Sejdiu tha se padia është bërë me 3 mars për mospagesën e shtesave e gjitha kjo është bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“Nuk është dezinformatë, por është keqinterpretim i qëndrimit tonë dhe deklaratës tonë, sepse është shumë e vërtetë që me 3 mars neve i kemi bërë padi ministrisë së Shëndetësisë për mospagesën e shtesave për Covid për mbi 400 mjekë duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe kjo nuk ka të bëjë me Arben Vitinë aspak sepse kemi parë tituj dhe nuk është çështja që tash me mbrojt njërin ministër apo tjetrin, por e vërteta është se për muaj të tërë duke filluar prej janarit ne në vazhdimësi ju kemi drejtuar ish-ministrit Zemaj që çështja e pagesave të mjekëve që punojnë bazuar në vendimin e qeverisë të bëhet në rregull dhe të paguhen borxhet që i kanë një numër i mjekëve, pas dështimit në përgjegjës të këtyre kërkesave atëherë ky grup i mjekëve prej 400 e ka autorizuar odën që të fillojë procedurën gjyqësore për marrjen e këtyre pagesave”.

Sejdiu, tha se edhe pas padisë nuk kanë marr asnjë përgjigje nga ish-ministri Zemaj, derisa tha se me ardhjen e ministrit Vitia kanë kërkuar që të shikohet mundësia që pagesat të verifikohen dhe të bëhen konform vendimit të Qeverisë.Ai ka shtuar se në rast MSh-ja merr përsipër shqyrtimin e pagesave atëherë Oda e Mjekëve do ta tërheq padinë.

“Ne nuk kemi pasur asnjë përgjigje prej ish-ministrit dhe me ardhjen e ministrit Vitia neve ju kemi drejtuar duke kërkuar që të shikohet mundësia që këto pagesa të verifikohen dhe të bëhem ashtu siç është vendimi i qeverisë dhe që ti ikim procedurave gjyqësore, pra që ministria të mos pësojë për shkak të dëmeve që mund të sjellë kjo padi dhe ne jemi duke pritur një përgjigje dhe nëse Ministria e Shëndetësisë merr përsipër shqyrtimin e këtyre pagesave atëherë Oda e Mjekëve do të tërheq padinë dhe do të konsideron se është përmbushë kërkesa e mjekëve”.