Sejdiu: PDK-ja e menaxhoi mirë traumën e arrestimit të themeluesve të saj

Opinioniti politik, Dardan Sejdiu, ka thënë se arrestimet e Gjykatës Speciale kanë bërë që Partia Demokratike e Kosovës ta kalojë një traumë që pak parti në Kosovë e kanë kaluar pas lufte.

“Njerëzit kryesor, njerëzit themelues, njerëzit që e kanë ndërtuar strukturën, njerëz që kanë fituar zgjedhje, njerëz që kanë qeverisur me Kosovën dhe njerëzit që e bartin një histori të madhe të kësaj republike janë marrë dhe janë dërguar në Hagë padrejtësisht, pra PDK-ja është gjetur me një situatë të cilën rrallëkund mund ta shohim si të tillë”, është shprehur Sejdiu.

Por këtë situatë Sejdiu tha se PDK-ja e ka trajtuar dhe menaxhuar mjaftë mirë.

“E para periudha transitore deri te zotëri Krasniqi ka qenë mirë e menaxhuar, e dyta rezultati zgjedhor nuk ka qenë aq traumatik në zgjedhjet nacionale, siç ishte për LDK-në dhe e treta rezultati zgjedhor në zgjedhje lokale, pra ishte edhe tranzicion, edhe reformim edhe mirëmbajtje aq sa mund të mirëmbahet pjesëmarrja në tregun politik të shprehem kështu”, u shpreh Sejdiu.

Tutje Sejdu tha se nëse analizohet se ku është PDK sot dhe ku ishte para dy vitesh, vërehet një angazhim serioz.

“E kemi një reformë të kryesisë, asnjë deputet nuk është anëtar i kryesisë, në kryesi e kemi një lloj tjetër të politikanit, pra kemi dalë nga ideja se PDK-ja gjithsesi duhet të përfaqësohet nga një figurë e madhe e UÇK-së, pra kemi dalë në një situatë ku kryetar partie, ndonëse në kohë të gjatë në PDK dhe ka kaluar në të gjitha strukturat e PDK-së, është Memli Krasniqi, i cili njihet si gjeneratë e re në PDK dhe përreth Memlit kemi ekip, kemi njerëz tjerë, besoj që ky është hap i mirë përpara që e ka bërë PDK”, tha Sejdiu.