Sejdiu: Kontributi i Idriz Ajetit në edukimin e brezave, mbetet në kujtesën e të gjithëve

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, njëherësh ish-kryetar i LDK-së, ka bërë homazhe para arkivolit të akademikut, Idriz Ajeti.

Në një postim në Facebook, Sejdiu ka shkruar se kontributi i tij, në edukimin dhe ngritjen e brezave të shumtë mbetet në kujtesën e mirë të të gjithëve.

Sipas Sejdiut, kontributi i Akademik Ajetit në Lëvizjen e madhe për Liri dhe Pavarësi, është po aq i madh sa kontributi në albanologji.

Më poshtë postimi i Sejdiut:

Të sfiduan shumë kohë, dole faqebardhë

Sot shkoi në amshim Njeriu që kaloi shekullin.

Kontributi i tij, në edukimin dhe ngritjen e brezave të shumtë mbetet në kujtesën e mirë të të gjithëve.

Ishte prijëtar në zhvillimin e saj, posaçërisht në shkencën e albanologjisë.

Edhepse në ditë të vështira e në kohë të rënda, pata nderin të bashkëpunoja me Akademik Idriz Ajetin, pikërisht kur u vu në krye të përpjekjeve për të drejtat e shqiptarëve, dhe në kërkim të përhershëm të lirisë së vendit.

Në vitin e rëndë 1998, udhëhoqi Kuvendin e Republikës së Kosovës deri në zgjedhjet e reja parlamentare pas lufte, duke u sfiduar nga koha, por edhe duke sfiduar kohën.

Kontributi i Akademik Ajetit në Lëvizjen e madhe për Liri dhe Pavarësi, është po aq i madh sa kontributi në albanologji.

Isha i nderuar që Akademik Idriz Ajetin ta dekoroja me Çmimin Presidencial për Studiues, për rezultate të larta në fushën e studimeve të shkencave humane, veçmas për veprën e tij të madhe në studimet albanistike.

Përherë do të jetojë kujtimi dhe vepra e Akademik Idriz Ajetit!