Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur konferenca rajonale e organizuar nga Federata e Paqes Universale dhe Federata e Gruas për Paqe Botërore.

“Domosdoshmëria e bashkëpunimit-sfidë dhe nevojë për integrim” është tema që po diskutohet në këtë konferencë, ku si shumë e rëndësishme u theksua bashkëpunimi dhe bashkëjetesa mes fqinjëve, sidomos popujve në rajon.

Në punimet e kësaj konference, Fatmir Sejdiu, i cili ishte president i Kosovës në periudhën 2007-2010, foli për rëndësinë e bashkëpunimit brenda vendit, dhe jashtë tij.

Ai tha se një nga pikat themelore që Kosova ka pas në politikën e jashtme dhe të brendshme, është të gjendet një rehati shpirtërore reale për qytetarët e saj dhe të shembet ideja e dikurshme që pavarësia e Kosovës do të destabilizojë rajonin.

E Binak Ulaj, kryetar i Federatës së Paqes Universale të Kosovës, tha se Kosova ka bashkëpunim funksional me shtetet e rajonit, por jo edhe me Serbinë. Sipas tij, me institucionet e Serbisë është ende larg rrjedhave integruese meqë krerët politik në Beograd nuk kanë gatishmëri për këtë.

Ai tha se për Beogradin zyrtar, bashkëpunimi është vetëm përmbushje e detyrimeve ndaj mekanizmave ndërkombëtar, e jo vullnet i lirë i tyre.Sipas tij, krerët politik të Beogradit nuk kanë hequr dorë nga politika që bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare, dhe me nevojat e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.

Ulaj përmendi edhe deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabiq, e cili ka thënë se “shqiptarët janë njerëz që zbritur nga mali”.E sipas tij, deklarata të tilla dëshmojnë se krerët e institucioneve në Beograd në mendje dhe zemër i kanë ende projektet kundër-shqiptare të gjysmës së shekullit 19 e këndej.

Në këtë konferencë ka folur edhe Alfred Moisiu, i cili mbajti postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 2002-2007.

Pasi të përfundojë punimet konferenca e cila po mbahet në Kuvendin e Kosovës, do të bëhen emërimet e ambasadorëve për paqe