Seferi: Putin përjetoi pritje të jashtëzakonshme në Beograd

Kosova nuk ka zënë një vend të veçantë në takimin e sotëm në Beograd në mes të Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putinit. Kështu deklaroi gazetari Idro Seferi, i cili këtë takim e përcolli nga afër në kryeqytetin serb dhe për Klan Kosovën raportoi në lidhje të drejtpërdrejtë telefonike.

“Mesazhet e Putinit mes tjerash ishin se ai e konsideron të padrejtë dhe të rrezikshme atë që po ndodhë në Kosovë, si rasti i ushtrisë dhe vendime të tjera. Sipas tij, Rezoluta 1244 nuk është respektuar”.

“Ajo që u tha nga Vuçic ishte se Serbia do të jetë e gatshme për një kompromis me Kosovën, por sipas tij, dikush nuk e dëshiron një marrëveshje të tillë, por dëshiron të ketë nxitje të konfliktit. Ai po ashtu deklaroi se në vijim do ta konsultojë Moskën dhe Putinin për vendimet që do të merren”.

“Në rrugët e Beogradit janë dhjetëra mijëra persona që kanë dalë ta presin Putinin, i cili do të shkojë të lutet në një tempull fetar dhe më pas do t’i takojë qytetarët e Serbisë”.

“Për të që konsiderohet mik i madh i serbëve, kishte pritje të jashtëzakonshme. Në protokolin serb nuk ka ndodhur që dikush të pritet kështu me të shtëna, si dhe kanë rënë edhe këmbanat e kishës afër qeverisë”.

“Nuk u tha nëse Rusia do të jetë drejtpërdrejt e kyçur në bisedimet me Kosovën, por sipas tij do të jetë e gatshme që të kontribuojë në këtë çështje”, deklaroi Seferi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.