Seanca për buxhetin/ Gashi – Osmanit: S’është demokratike të bllokohet shteti për përfitime elektorale

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi po e cilëson si çasje bllokuese, faktin që sot kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, nuk e ka proceduar kërkesën e LDK’së për seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të vendoset në votim Buxheti për vitin 2021. Sipas Arben Gashit, s’është demokratike e as institucionale që të bllokohet shteti me qëllim të përfitimeve elektorale.

Kryetari në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, po kërkon me ngulm që të votohet Buxheti për vitin 2021 përpara se të shpërndahet Kuvendi i Kosovës, me qëllim të shmangies së një kolapsi të plotë të shtetit.

Duke u nisur nga një urgjencë e tillë, sot shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka proceduar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të hënën, e në të cilën do të votohet Buxheti për vitin 2021.

Megjithatë një kërkesë e tillë s’është proceduar në zyrën e kryetares së Kuvendit me arsyetimin se s’ka mbërritur asgjë në zyrën e saj deri në orën 16:00.

“Kryetares së Kuvendit, dr. Vjosa Osmani nuk i ka ardhur asnjë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme deri në orën 16:00”, ka thënë Kupina.

Lidhur me këtë veprim të udhëheqësisë së Kuvendit ka folur dorëzuesi i kërkesës për seancë, Arben Gashi.

Gashi ka thenë se një qasje e tillë është bllokuese ndaj stabilitetit të përgjithshëm të shtetit në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova.

“Kjo qasje reflekton një qasje refuzuese dhe bllokuese ndaj procesit me qenësor te stabilitetit të përgjithshëm ekonomik, social dhe politik, në një periudhe krize të paprecedent globale dhe lokale, si miratimi i Buxhetit të Shtetit”, ka thënë Gashi për Express.

Shefi i deputetëve të LDK’së thotë se s’është demokratike e as institucioonale që të bllokohet shteti me qëllim të përfitimeve elektorale.

“Futja e Kosovës në krizë për përfitim elektoral është logjikë jo institucionale dhe jodemokratike. Kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani, duhet ta ketë parasysh që kërkesa e nënshkruar nga 46 deputet nuk ka nevojë të shqyrtohet, por vetëm të procedohet dhe të njoftohen deputetët”, ka shtuar ai tutje.

“Seancat e jashtëzakonshme mund të kërkohen në gjendje krize, në gjendje lufte, dhe në gjendje te tjera te veçanta. Prandaj nuk ka orar, e as afat, qe mundet me e kufizu.Tashmë Kuvendi nuk ka pozitë dhe opozitë – të gjithë kemi përgjegjësi të barabarta. Ne kemi bërë kërkesë që Kosova të mos mbetet pa Buxhet. Nëse të tjerët nuk janë dakord, atëherë ata bartin përgjegjësinë e bllokimit të proceseve qenësore me pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien e përgjithshme në vend!”, ka përfunduar Gashi.

Deri tani, Partia Demokratike e Kosovës ka treguar se do ta votojnë Buxhetin për vitin 2021. Nga ekspertët e ekonomisë është paralajmëruar kolaps i plotë nëse Kuvendi shpërbëhet pa u votuar Buxheti 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që të hënën në ora 11:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e buxhetit dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare.