Së shpejti raportet për dëmet e shkaktuara nga vërshimet

Raportet përfundimtare për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në disa komuna të Kosovës, pritet së shpejti të dërgohen në komisionin vlerësues në nivel qendror.

Skenderaj dhe Mitrovica janë komunat më të dëmtuara, duke lënë pas Istogun, Rahovecin dhe Podujevën. Zyrtarë të këtyre komunave kanë theksuar se janë në përfundim të raportit përfundimtar për tri kategoritë: ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi.

Javën e ardhshme pritet që komunat e dëmtuara nga vërshimet e fundit, t’i dorëzojnë në nivelin qendror raportet me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në tri kategori: ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi. Dëme të mëdha janë shkaktuar në Skenderaj ku ato shkojnë mbi 15 milionë euro, thotë për Radio Kosovën zëdhënësi i komunës, Amir Lushtaku.

“Komisioni për vlerësimin e dëmeve në Komunën e Skenderajt është në prag të finalizimit. Ky raport në një mbledhje të jashtëzakonshme do t’i dorëzohet ditën e enjte Kuvendit Komunal të Skenderajt, dhe pas miratimit nga Kuvendi, do t’i drejtohet komisionit vlerësues në nivel qendror, me të gjitha dëmet në të gjitha fushat, në ekonomi familjare, në biznese, në shkolla, në vetura, në infrastrukturë e kështu me radhë. Dëmet e shkaktuara, ashtu siç ka qenë një parashikim janë mbi 15 milionë”, tha ai.