Së shpejti gara në shkollat e Prishtinës për ngritjen e kreativitetit e të mendimit kritik

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, sot takoi drejtorët e shkollave të komunës së Prishtinës, të kryesuar nga Drejtori Komunal i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj.

Koordinatori Hoti pasi shpalosi Programin Nacional për Rininë para drejtorëve të shkollave të Prishtinës, i njoftoi ata për fillimin e garës nga java e ardhshme.

“Programi Nacional për Rininë do të përfshijë rreth 340 mijë nxënës të Republikës së Kosovës. Kemi hartuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për garë në formë të udhëzueseve, që janë duke u shpërndarë nëpër shkolla. Ju njoftoj se që nga 19 shkurti i këtij viti do të filloj gara në Kreativitet kulturor dhe Mendim kritik, pres nga ju përkushtim për implementimin e këtij programi”.

Ndërsa, Drejtori Salihaj theksoi edhe njëherë mbështetjen që Komuna e Prishtinës i ofron Programit Nacional për Rininë duke treguar arsyet për këtë.

“Ne e mbështesim Programin Nacional për Rininë, sepse me këtë program nxënësit do të mësojnë si të garohet, do të rritet kreativiteti dhe do të largohet frika e përballjes”, tha drejtori Salihaj​.

Programi Nacional për Rininë përfshin të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe universitar në Republikën e Kosovës në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport.