mercedes

Së shpejti E-Class i ridizajnuar, vjen me më shumë versione hibride

Edicioni i rifreskuar i Mercedes E-Classës në sallonet evropiane të automjeteve pritet të arrijë kah mesi i këtij viti.

Katër vjet pas debutimit të gjeneratës aktuale të E-Classës, Mercedesi po përgatitet të prezantojë një model të ridizajnuar tërësisht, transmeton Koha.net. Modeli i ridizajnuar vjen me disa ndryshime në karroceri dhe enterier, mekanikën e avancuar dhe me më shumë sisteme për siguri.

E-Class i ridizajnuar në sallonet evropiane të automjeteve pritet të arrijë gjatë verës dhe me këtë edicion të rifreskuar shoferi do të ketë timon të ri multi-funksional, sistemin MBUX të avancuar si dhe disa sisteme të cilat ndihmojnë shoferin për drejtim dhe frenim.

Gjithashtu, Mercedesi thotë se E-Class i ridizajnuar do të jetë në dispozicion në 7 versione hibride, me sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat dhe disa versione të karrocerisë.

Në ofertë do të jenë edhe dy motorë me djegie të brendshme (motorët benzinë 2.0-litër me 4 cilindra dhe 3.0-litër me 6 cilindra), te të cilat do të asistojë teknologjia mild-hibride.

Pas fillimit të shitjes në Evropë, Mercedes E-Class shumë shpejt do të jetë në dispozicion edhe në tregjet tjera në botë.