Së paku 10 civilë të vrarë nga sulmet ajrore në Siri

Nga sulmet ajrore ruse në Idlib të Sirisë janë vrarë të paktën 10 civilë, thonë aktivistët, por deklarata është hedhur poshtë nga Rusia.

Organizatat “Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut dhe “Mbrojtja Civile Siriane” thanë më 30 Janar, se një spital dhe një furrë buke u goditën në qytetin Ariha.

Sulmet bëhen në kohën kur qeveria siriane ka shënuar përparim në marrjen nën kontroll të rajonit, që mbahet nga rebelët anti-qeveritar, për gati tetë vjet të konfliktit në Siri.

Organizatat thanë se në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve, ka gra dhe fëmijë.

Ministria e Mbrojtjes ruse mohoi raportet, duke thënë se avionët rusë nuk kanë kryer asnjë operacion luftarak në zonë.

Forcat e qeverisë siriane të mbështetura nga Rusia po vazhdojnë ofensivën e saj në Idlib gjatë javëve e fundit.

Komisioneri për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Mark Lowcock, më 29 janar, tha se të paktën 20.000 njerëz ishin shpërngulur në dy ditët e mëparshme, dhe 115.000 të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë javës së kaluar, shkruan REL.

Më parë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia po humbiste durimin pas sulmit ushtarak në Idlib dhe akuzoi Rusinë për “mosrespektim” të marrëveshjeve që synojnë të frenojnë dhunën atje.

Turqia dhe Rusia, të cilat mbështesin palët kundërshtare në konfliktin e Sirisë, kanë rënë dakord të punojnë për ndaljen e luftimeve në Idlib, dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar.