“Se di për sa kohë e kam pasur tumorin në kokë”, Adriana Matoshi flet për sëmundjen

Pak javë pas operacionit Adriana Matoshi u rikthye në sallën e Kuvendit duke vazhduar normalisht jetën e saj.

Gjatë një interviste për Klan Kosova, ajo ka folur për vështirësitë dhe gjërat e bukura me të cilat u përball në 2021-shin.

Adriana Matoshi: Krejt çka më kujtohet është takime me shumë njerëz, punë shumë. Kam folur shumë, takime me gra e vajza të dhunuara fizikisht e psikologjikisht, gra të keqtrajtuara, vizita në spital e në familje të varfra. Tubime me njerëz, fotografi me njerëz, telefonata, e-mail, shkolla me fëmijë, udhëtimi në Kosovë e Shqipëri për punë, familje shoqëri. Probleme, zgjedhje, pandemi, organizime, nervoz, vaj, të qeshura, intervista e seriale.

Së fundmi, sfida më e vështirë e këtij viti, rikthimi i sëmundjes. Na shpjego pak si e kuptove dhe cili është çelësi yt që përdore për të qenë kaq optimiste dhe për të dalë sërish fitimtare pas një operacioni goxha të vështirë?

Adriana Matoshi: Nuk e di për sa kohë e kam pasur tumorin në kokë sepse unë vazhdimisht kam punuar dhe kam qenë shumë e lodhur. Nganjëherë kam fjetur më shumë dhe jam zgjuar e lodhur, nganjëherë nuk kam fjetur hiç dhe prapë e lodhur. Nuk jam ndal asnjëherë edhe pse nuk mundesha. Kah fundi nuk kisha artikulim të mirë, më humbte mendimi gjatë bisedave, isha gjysmë e fjetur, dhe krejt në fund kisha marramendje e mundim, me vinte nxehtë dhe më shtrëngonte koka prapa. I bëra kontrollat dhe më doli ajo çka e prisja.