S’dorëzohet Gërvalla, ia ndryshon “rehatinë” këshilltarit të Osmanit në Vatikan

Pak ditë pasi këshilltari i presidentes Osmani, Vehbi Miftari, ishte emëruar si përfaqësues për kontakte me Selinë e Shenjtë dhe ishte nxjerr vendimi që ai të vendosej në Ambasadën e Kosovës në Itali, kryediplomatja Gërvalla e ka ndryshuar vendimin e saj.

Në vendimin e parë të nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bëhet e ditur se Vehbi Miftari, i caktuar Përfaqësues i Republikës së Kosovës për Kontakte me Selinë e Shenjtë, sipas vendimit të Presidentes, fillon realizimin e detyrave të tij nga data 1 dhjetor 2021.

Por, ky vendim ishte ndryshuar pikërisht në ditën kur Demokracia.com kishte raportuar për emërimin e e çuditshëm të Miftarit.

Në vendimin e ri të Gërvallës është hequr pika 3 dhe një pjesë e pikës së parë, ku ai theksohej se do të shërbente në Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Romë.

“Të ardhurat personale të z. Miftarit gjatë ushtrimit të detyrës janë të barasvlershme me gardën diplomatike. Kjo ekuivalencë nuk nënkupton marrjen e gradës diplomatike Ministër Këshilltar, sipas Ligjit Nr.03/L-122 për Shërbime të Jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e datës 12 nëntor të MPJD-së, i cili tani është hequr, raporton Demokracia.com.

Këshilltar i presidentes Osmani, Vehbi Miftari, është rehatuar si “përfaqësues” i Republikës së Kosovës për kontakt në Selinë e Shenjtë, ndonëse Vatikani ende nuk na njeh si shtet.

Demokracia.com kishte publikuar dokumentin e këtij vendimi të nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, i cili nuk është bërë transparent për publikun.