SCV investon në stratupin kosovar “Labbox” për produktin e tyre edukativ për fëmijë

“South Central Ventures” ka shtuar startupin e teknologjisë edukative “Labbox” në portfolion e tyre. Startupi kosovar ka mbyllur një investim fillestar i cili ka për qëllim ta ndihmojë kompaninë që të sjellë produktet e tyre unike për teknologji (STEM) në treg. Produktet e “Labboxit” ofrojnë eksperiencë zbavitëse edukative, të bazuar në planprogram vetjak, e cila i lejon fëmijët të mësojnë për teknologjinë duke kaluar nëpër sfida të cilat vijnë në formë të box-ave.

Ky është investimi i parë i SCV-së në një startup të bazuar në Kosovë, i cili do të mundësojë prodhimin e parë të produkteve të “Labboxit” në tregun tonë.

“‘Labbox’ zgjidh një problem shumë të rëndësishëm i cili prek mënyrën si fëmijët mësojnë për teknologji. Qëllimi i ‘Labboxit’ është që të ndërrojë qasjen ndaj teknologjisë e cila nis me frikën nga gabimet drejt nxitjes së eksperimentimit. Aq më tepër produkti është i tillë që i mëson dhe inkurajon fëmijët të mësojnë prej gabimeve të tyre. Qasja e re e ‘Labboxit’ sjell mësimin nga tregimet kreative të cilat nxisin fëmijët të provojnë dhe të gjejnë zgjidhje për sfidat në mënyrë të pavarur, qasje kjo e cila qëllimisht është larguar nga instruksionet ‘hap pas hapi’ të cilat shpesh janë të përdoruara”, thuhet në komunikatën e Labboxit.

Për ta bërë teknologjinë dhe konceptet e saj më të kapshme për fëmijët, “Labboxi” thotë se ka dizajn hardware i cili u jep informacion fëmijëve përmes një gjuhe të ngjyrave, gjuhë kjo e cila i udhëzon gjatë përdorimit të produkteve. “Qasja unike ndaj mësimit të cilën e ka implementuar ‘Labbox’, ka tërhequr vëmendjen e shumë edukatorëve nëpër botë, si dhe është pilotuar në disa shkolla publike në Kosovë”.

Kujtojmë që “Labboxi” ka qenë gjithashtu fitues i medaljes së artë në Londër vitin e kaluar, finalist në SLUSH – njërin nga eventet më të mëdha botërore i startupeve, në Helsinki, si dhe është ekip virtualisht i inkubuar në ICK.

Themelueset, motrat Arta dhe Fiona Shehu, e kanë filluar “Labboxin” në 2018 në klasat e Akademisë jCoders. Me ndihmën e ekipit të tyre, si dhe me mbi mijëra orë të testimit të komponentëve të ndryshme dhe planprogrameve me nxënësit e vet, lindi “Labbox”.

Sot “Labboxi” përbehet nga një ekip i personave me shkathtësi të theksuara në elektronikë, programim dhe edukatorë të certifikuar në fushën e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM). Ky ekip është i vetmi në rajon i cili gjithashtu ka fituar certifikimin STEM nga AdvancEd, agjencia më e madhe e akreditimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si shpenzojnë kohën fëmijët tonë me teknologjinë, e definon edhe qasjen, edhe konceptet e tyre përballe teknologjisë në të ardhmen. ‘Labbox’ jo vetëm që ofron eksperiencën e nevojshme për të mësuar dhe krijuar në teknologji, gjithashtu lëviz qasjen nga frika prej gabimeve drejtë asaj e cila shfrytëzon gabimet për të mësuar. Kjo mënyrë e të menduarit ndërton një gjeneratë të individëve që zgjidhin probleme dhe kanë koincidencën të gjejnë zgjidhje të ndryshme për problemet e kohës sonë”, tha Arta Shehu Zaimi, CEO dhe themeluese e “LabBox”.

Tatjana Zabasu Mikuzh, SCV Managing Partner, thotë: “Unë jam gjithmonë në kërkim të themelueseve të cilët me inspirojnë, me njohuri të gjerë, të cilët po adresojnë sfidat e botës së sotme. Të kem mundësi të punoj me një ekip kreativ dhe të aftë i cili ka për mision të përgatit fëmijët për sfidat e së ardhmes, është jashtëzakonisht entuziazmuese dhe jam shumë e lumtur që jemi duke i përkrahur në këtë mision.

Për South Central Ventures

Me zyrë në Beograd, Zagreb dhe Shkup, South Central Ventures (SCV), përmes Enterprise Innovation Fund (ENIF), është i fokusuar në kompani teknologjie në Ballkanin perëndimor. Fondi €40m është i dedikuar fillimisht për startupe në faza fillestare dhe në investime që nxisin rritje. Në xhepin e fondit për investime fillestare, €1,5 milionë janë të alokuara për investime deri në 100 mijë euro për kompani. Pjesa më e madhe e fondit është e alokuar për startupet në fazat fillestare dhe në ato në rrije deri në 3 milionë për kompani. Këto investime kanë për qëllim të shtyjnë përpara zgjerimet ndërkombëtare të bizneseve dhe rritjen e kompanive më të mira në teknologji të cilat janë në gjendje të tregojnë tërheqje dhe dëshmojnë që kanë potencial për t’u ‘bërë të mëdha’.