Gjatë ditës së djeshme, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, ku ka deklaruar se në marrëveshjen mes dy vendeve duhet të përfshihet njohja reciproke. Deklaratë të cilën, nuk e pëlqeu aspak presidenti serb Aleksander Vuçiq.
Rreth kësaj deklarate të kancelarit gjerman dhe pakënaqësisë që ka shfaqur presidenti serb, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Basha, për vizitën e Scholz në Kosovë dhe deklaratën e tij për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ia ka atribuuar të gjitha meritat kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe Ministres së Jashtme Donika Gërvalla.
Deputeti i VV-së, ka thënë se nuk është befasi deklarimi i të parit të qeverisë gjermane, pasi që, sipas deputetit, në Kosovë po bëhet një punë e pandalshme dhe me qëndrime të koordinuara mes udhëheqëseve shtetëror.
“Vuçiq sot tha se kërkesa e drejtepërdrejtë e kancelarit Scholtz për ‘njohje reciproke’ është befasi për ne, dhe se “gjërat po kthehen kundër Serbisë”. Ky quhet sukses miq, ku me një punë t’pandalshme dhe qëndrime të koordinuara nga Kryeministri Kurti, Ministrja Gërvalla, Presidentja Osmani dhe diplomacia parlamentare, Kosova fillon me ndryshu kurs diplomatik në raport me Serbinë”, ka thënë deputeti.
Tutje, ai ka gjetur hapësirë që të merret edhe me opozitën rreth këtyre deklarimeve të kancelarit, edhe pse askush nga opozita nuk ka reaguar për të keq rreth vizitës së Scholz në Kosovë.
“Kjo mbase nuk mund të duket mirë për opozitën, por për Kosovën gjithsesi!”, ka përfunduar Basha.







